Kandidati i pavarur për Komunën e Strugës, Mendi Qyra, ka ndarë rrëfimin e tij jetësor dhe arsyen pse ka vendosur të garojë për kryetar të qytetit.
“Nuk vij nga politika. Vij nga jeta reale, nga një rrugëtim plot sfida që më ka mësuar të mos dorëzohem kurrë”, shkruan Qyra në një postim, ku tregon historinë e tij që nis që nga vitet ’80, kur si student në Prishtinë u përjashtua nga fakulteti dhe u burgos nga policia serbe për shkak të bindjeve të tij dhe pjesëmarrjes në demonstrata.
Në vitin 1982, ai u arrestua sërish në Maqedoninë e Veriut dhe u mbajt si i burgosur politik, pasi kishte ngritur zërin për të drejtat e shqiptarëve. Pavarësisht vështirësive dhe shtatë viteve pa punë, Qyra vendosi të mos largohej nga vendlindja, por të ndërtonte vetë mundësinë e tij.
“Vendosa të mos iki. Vendosa të ndërtoj. Nga asgjëja hapa një biznes ndërtimtarie që sot punëson qindra bashkëqytetarë. Me shumë mund, ngrita edhe klubin e futbollit Struga Trim & Lum, që sot është shpallur dy herë kampion i vendit”, – thekson ai.
Qyra shton se dashuria për Strugën dhe përkushtimi ndaj qytetit të tij janë arsyeja kryesore e kandidimit:
> “Struga meriton ujë të pijshëm, rrugë të rregullta, kanalizim funksional, transport publik dhe vende pune për të rinjtë.
Ashtu siç nuk u dorëzova për veten time, nuk do të dorëzohem as për një Strugë ndryshe.”
Me moton “Struga Ndryshe”, Mendi Qyra shpalos vizionin e tij për një qytet më të zhvilluar, me institucione funksionale dhe jetë më dinjitoze për çdo qytetar.