Kandidati i pavarur për komunën e Strugës, Mendi Qyra, gjatë pjesëmarrjes së tij në emisionin “Debat në SHENJA”, u shpreh se ndërtimet pa leje janë një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet komuna dhe që do të jenë prioritet në agjendën e tij.
“Ndërtimet pa leje duhet të ndërpriten njëherë e përgjithmonë. Ka një numër të madh të objekteve pa leje, të cilat kanë aplikuar për legalizim. Ka mijëra kërkesa që për fat të keq nuk janë proceduar apo realizuar,” theksoi Qyra.
Ai njoftoi se, në rast se zgjidhet kryetar komune, do të formohen grupe të veçanta pune që do të merren me procesin e legalizimeve, duke u bazuar në parametrat ligjorë dhe urbanistikë.
“Një ndër hapat kryesorë me ardhjen time do të jetë krijimi i grupeve të veçanta që do të punojnë për legalizimin e objekteve që përputhen me normat ligjore. Ato që nuk i plotësojnë kushtet dhe nuk janë në vendin e duhur do të trajtohen në mënyrë të veçantë, për të gjetur zgjidhje të drejtë dhe në përputhje me ligjin,” shtoi ai.