6.8 C
Skopje
Monday, November 3, 2025

Mendi Qyra: Ditët në vijim do të jap dorëheqje nga pozita e kryetarit të OEMVP-së. Integriteti i OEMVP-së është i rëndësishëm

 Mendi Qyra, Kryetar  i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP), ka shpallur sot publikisht dorëheqjen nga ky post, si pasojë e vendimit të tij për të kandiduar si kandidat i pavarur për Kryetar të Komunës së Strugës.

Ky hap vjen në përputhje të plotë me Statutin e OEMVP-së, i cili ndalon mbajtjen e funksioneve udhëheqëse në Oda nga persona që përfshihen aktivisht në politikë. Sipas Qyrës, vendimi për të dhënë dorëheqje është një akt moral, profesional dhe institucional, që synon të ruajë pavarësinë dhe neutralitetin e OEMVP-së si një institucion apolitik.

“Transparenca, besueshmëria dhe neutraliteti i Odës nuk duhet të vihen asnjëherë në pikëpyetje. Dorëheqja ime nuk është ndarje nga komuniteti i biznesit, por dëshmi e sinqeritetit tim ndaj misionit që kemi ndërtuar bashkë,” – u shpreh Qyra.

Pavarësisht se procesi i zgjedhjeve lokale ende nuk është zyrtarizuar, Qyra thekson se ndarja e rolit të tij publik nga angazhimi politik është e domosdoshme për të mbrojtur integritetin institucional, si dhe për të qenë plotësisht i përkushtuar ndaj sfidës së re.

Në një deklaratë që mori jehonë të menjëhershme në qarqet ekonomike dhe politike, ai ritheksoi përkushtimin e tij të vazhdueshëm për zhvillimin ekonomik të rajonit dhe mbështetjen ndaj komunitetit të biznesit.

“Do të mbetem gjithmonë në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe një mbështetës i fortë i OEMVP-së,” – përfundoi Qyra.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit