Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka akuzuar ashpër opozitën për bllokim institucional dhe për krijimin e një, siç e quajti ai, “koalicioni të fshehtë anti-qytetar” në dëm të interesave të qytetarëve të Strugës.
Sipas Qyrës, strukturat e vjetra politike në Strugë, të përfaqësuara nga AKI, LSDM dhe Lista Merko, kanë vepruar së bashku për të paralizuar institucionet komunale dhe për të penguar zhvillimin e qytetit.
“Me bojkotimin e seancës së Këshillit Komunal, AKI, LSDM dhe Lista Merko dëshmuan se nuk u interesojnë qytetarët dhe projektet zhvillimore, por vetëm interesat e tyre personale,” deklaroi kryetari Mendi Qyra.
Ai theksoi se mungesa e këshilltarëve të opozitës ka pamundësuar miratimin e programeve buxhetore për vitin 2026, të cilat përfshijnë projekte kapitale në vlerë rreth 5 milionë euro.
“Ky veprim është vazhdimësi e një politike bllokuese që është zbatuar për më shumë se 20 vite në dëm të Strugës dhe qytetarëve të saj,” u shpreh Qyra.
Kryetari i Komunës theksoi se nuk do të lejojë që qyteti të mbetet peng i strukturave që, sipas tij, e kanë dëmtuar Strugën për dy dekada.
“Nëse opozita vazhdon me politikat destruktive dhe bllokuese, ne nuk do të qëndrojmë duarkryq. Sapo të përmbushen kushtet ligjore, do të organizojmë zgjedhje të parakohshme për Këshillin Komunal, që qytetarët të japin përgjigjen e merituar,” theksoi Mendi Qyra.
Në fund, ai garantoi se Komuna e Strugës do të vazhdojë punën në interes të qytetarëve dhe se projektet e premtuara do të realizohen, pavarësisht bllokadave politike.





