11.8 C
Skopje
Wednesday, November 5, 2025

Mendi Qyra: “Ata s’kishin pushtet, por kishin zemër dhe Struga fitoi!”

Pas një gare të fortë zgjedhore, Mendi Qyra ka dalë fitues në zgjedhjet për komunën e Strugës, duke sjellë një frymë të re në skenën politike lokale. Në një reagim publik pas fitores, Qyra theksoi se kjo arritje është rezultat i një lëvizjeje qytetare të nisur nga njerëz të zakonshëm, me qëllim të jashtëzakonshëm: ndryshimin e Strugës.

“Ata s’kishin pushtet, por kishin zemër. Dhe Struga fitoi!”, shkroi Qyra në një postim në rrjetet sociale, duke përmbledhur emocionet e një fushate që, sipas tij, nuk ishte politike në kuptimin tradicional, por njerëzore e shpresëdhënëse.

Qyra e përshkroi fushatën si një rrugëtim të përbashkët me qytetarët, ku të rinjtë, të guximshëm dhe pa përvojë politike, besuan se mund të sjellin ndryshim. “Në një betejë përballë dy strukturave politike të bashkuara, ata zgjodhën të mos frikësohen, por të besojnë. Të punojnë ditë e natë, të flasin me arsye dhe qetësi, të ecin në çdo lagje e fshat, të prekin çdo dorë dhe të dëgjojnë çdo zë që kërkonte ndryshim,” shkruan ai.

Sipas Qyrës, fushata nuk ishte një garë për pushtet, por një “valë shprese” që u rrit dita-ditës dhe u kthye në një forcë të pakthyeshme. “Kjo fitore është dëshmia më e bukur se kur bashkohen ideja, besimi, vullneti për punë dhe dashuria për vendin, edhe e pamundura bëhet e mundur,” shtoi ai.

Në fund të postimit, kryetari i sapozgjedhur shprehu mirënjohje dhe përgjegjësi për periudhën e ardhshme, duke theksuar se Struga do të drejtohet nga parime të reja: funksionalitet, zhvillim, pastërti dhe mundësi për të gjithë.

Qyra i ftoi qytetarët të ndajnë kujtimet e tyre nga fushata, si një mënyrë për të festuar bashkë këtë fitore që, sipas tij, “do të mbetet gjatë në kujtesën e Strugës”.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit