Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka marrë pjesë në ngjarjen më të madhe ekonomike në vend, TOP 100™ 2025, kësaj here në rolin e të parit të Strugës, pas më shumë se një dekade angazhimi në OEMVP/СКСЗМ si anëtar bordi, nënkryetar dhe kryetar.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Qyra ka theksuar se Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore ka qenë një “shkollë e vërtetë lidershipi, bashkëpunimi dhe vizioni ekonomik” që ka ndikuar ndjeshëm në formimin e tij profesional. Ai është shprehur i kënaqur që në 20-vjetorin e TOP 100™, Oda vazhdon të rritet në tregues kyç si fitimi, punësimi dhe investimet kapitale.
“Kjo tregon qartë se zonjat dhe zotërinjtë që e përbëjnë këtë odë janë motori i zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit,” ka deklaruar Qyra.
Kryetari ka dhënë edhe një porosi të drejtpërdrejtë për afaristët, duke i inkurajuar të mos e humbin këmbënguljen, vetë-disiplinën, ambicien dhe etjen për të mësuar—vlera që sipas tij i çojnë drejt suksesit.
Në fund, Qyra ka shprehur mirënjohje dhe ka uruar që suksesi i bizneseve të vazhdojë të jetë frymëzim për të gjithë shoqërinë.





