Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka deklaruar se borxhi i trashëguar ndër vite është shumë i madh dhe se shifra e saktë do të bëhet publike pas përfundimit të revizionit financiar të brendshëm dhe të jashtëm.
Sipas tij, nga revizioni i brendshëm është konstatuar se gjatë 10 viteve të fundit, nga dy kryetarët e kaluar, tatimi komunal i paarkëtuar arrin në 7 milionë e 300 mijë euro. “Kjo është një shumë marramendëse”, theksoi Qyra.
Ai bëri të ditur se hapi i parë i ndërmarrë nga udhëheqësia e re ka qenë “ndalimi i gjakderdhjes financiare”, përmes vendosjes së disiplinës së menjëhershme buxhetore, kontrollit të rreptë të shpenzimeve dhe prioritetizimit të obligimeve.
Sipas Qyrës, rezultatet kanë nisur të duken: brenda tre muajve është arritur të reduktohet borxhi për rreth 250 mijë euro.
Ai nënvizoi se janë ndërprerë shpenzimet e panevojshme, duke përmendur se nga mbi 11 mijë euro të shpenzuara për prezantime vitin e kaluar, këtë vit kjo shumë është 0. Po ashtu, shpenzimet për karburant, që në janarin e vitit të kaluar ishin mbi 2 mijë euro në muaj, këtë janar janë përgjysmuar në rreth 1 mijë euro.
“Çdo shpenzim është rishikuar dhe pothuajse çdo kontratë është analizuar”, deklaroi Qyra, duke shtuar se paralelisht është punuar edhe për rritjen e të hyrave komunale nga taksat, si nga personat fizikë ashtu edhe nga ata juridikë.



