Dy javët e fundit është shënuar një rritje e dukshme e numrit të fëmijëve që kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të gripit dhe gjendjeve të ngjashme me gripin.
Në një prononcim për Ora24.tv, drejtori i Klinikës Universitare për Sëmundje të Fëmijëve, dr. Rexhep Memedi, bën të ditur se brenda vetëm 24 orëve në Klinikën e Fëmijëve paraqiten rreth 150 fëmijë me simptoma respiratore.
“Sipas të dhënave tona, pjesa më e madhe e pacientëve janë me sëmundje respiratore, me simptoma tipike të gripit si temperaturë e lartë trupore, kollë, sekret hundësh, skuqje të syve dhe fytit, dhimbje muskulore, ndërsa te foshnjat vërehet edhe frymëmarrje e vështirësuar”, thekson Memedi.
Ai sqaron se të gjithë pacientët marrin trajtimin dhe rekomandimet e nevojshme nga stafi mjekësor, ndërsa fëmijët më të vegjël dhe foshnjat me gjendje më të rënduar, veçanërisht ata me ndezje të mushkërive, pranohen për trajtim spitalor.
Sipas Memedit, në shumicën e rasteve është izoluar virusi i gripit Influenza A, por kohëve të fundit ka filluar të qarkullojë edhe RSV – Virusi Respirator Sincicial, i cili është veçanërisht i rrezikshëm për foshnjat.
Drejtori i Klinikës së Fëmijëve apelon për respektimin e masave preventive.
“Rekomandojmë masa higjienike për vetëmbrojtje, larje të shpeshtë të duarve, mbajtje të maskës nëse keni simptoma gripi, konsumim të shtuar të lëngjeve si supë dhe çaj, si dhe shmangie të ambienteve me shumë njerëz, sidomos aty ku ka persona me simptoma gripi”, përfundon Memedi për Ora24.tv.



