10.8 C
Skopje
Friday, November 7, 2025

Më pak turq drejt Malit të Zi, pas regjimit të vizave

Shtetasit e Turqisë që duan të udhëtojnë në Mal të Zi duhet të pajisen patjetër me vizë. Për t’u pajisur me vizë ata duhet të dorëzojnë dokumente personalisht në Ambasadën ose konsullatën e Malit të Zi në Turqi.

Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL) nuk ka marrë përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme në pyetjen se sa kohë merr miratimi dhe lëshimi i vizës.

Pasojë e parë e regjimit të vizave, që hyri në fuqi më 30 tetor, është rënia e ndjeshme e numrit të udhëtarëve në linjat ajrore nga Turqia drejt Malit të Zi, thanë për REL-in nga aeroportet e Malit të Zi.

Në Shoqatën e Mërgimtarëve Malazezë në Turqi thonë për REL-in se regjimi i vizave nga ana e Malit të Zi ka shkaktuar befasi dhe zhgënjim.

Në shoqatë janë të vetëdijshëm se, për shkak të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Mali i Zi duhet ta harmonizojë gradualisht regjimin e vizave me vendet anëtare të BE-së, çka nënkupton edhe vendosjen e regjimit të vizave për Turqinë, por nuk e prisnin që kjo të ndodhte kaq shpejt.

“Na vjen keq që procesi u përshpejtua pas ngjarjeve të fundit në Mal të Zi. Mendojmë se ky hap mund të ishte bërë në një periudhë kalimtare më të qetë dhe më të arsyeshme, çka do të ishte në interes të marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy popujve dhe dy shteteve”, tha për REL-in Adil Ozuzun, kryetari i Shoqatës së Mërgimtarëve Malazezë në Turqi.

Edhe Sead Shahman, kryetar i Lëvizjes Demokratike Boshnjake jashtëparlamentare (BDP), i cili së fundmi mori pjesë në takimin e diasporës malazeze në Turqi, thotë për REL-in se mërgimtarët janë të shqetësuar me regjimin e vizave.

“Mërgimtarët presin kushte më të favorshme për hyrjen në Mal të Zi, pra kthim në regjimin pa viza dhe përfitime të caktuara për veprimtarinë e tyre ekonomike në Mal të Zi”, tha ai.

Vendosja e regjimit të vizave pas një informacioni të pasaktë

Në Turqi, sipas të dhënave të shoqatave të mërgimtarëve, jetojnë rreth gjashtë mijë njerëz që kanë karta mërgimi mbi bazën e prejardhjes nga Mali i Zi.

Gjithashtu, vlerësohet se një numër shumë më i madh shtetasish turq kanë prejardhje nga Mali i Zi, rreth 250.000.

Shtetasit e Turqisë mund të udhëtonin pa viza në Mal të Zi deri më 30 tetor, kur Qeveria malazeze vendosi viza të përkohshme.

Shkak u bë plagosja e një qytetari të Podgoricës në një konflikt fizik me të huaj, për të cilët policia fillimisht njoftoi se ishin shtetas turq – gjë që më pas rezultoi të ishte informacion i pasaktë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit