Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti, ka publikuar një video të re në faqen e tij zyrtare në Facebook, ku prezantohet projekti për ndërtimin e një parkingu nëntokësor me dy kate në sheshin “Skënderbeu”, me kapacitet për 800 vetura dhe mbi 12.000 m² sipërfaqe dhe mendimet e qytetarëve kalimtarë të rastit të intervistuar në lidhje me këtë projekt të propozuar.
Projekti ka marrë përkrahje të menjëhershme nga qytetarët, të cilët shprehen se kjo është zgjidhja që i jep fund njërit prej problemeve më të mëdha të përditshmërisë në këtë zonë – mungesës së hapësirave për parkim.
“Më mirë të bëhet një parking nën tokë se kështu! Ashtu mendoj sepse çdoherë ka problem këtu! Edhe për ata që jetojnë edhe për ata që e vizitojnë Çarshinë. Si do të vijnë mysafirët atje? Duhet me pas parking.” shprehet një qytetar në video.
Një tjetër qytetar thekson: “Parking nëntokësor nuk është keq. Kam parë në Gjermani, lartë nuk ka asnjë veturë, gjithçka është nën tokë dhe mbi të rregullohet mirë si park, por mos të bëhet parking në kate këtu”.
Një nga afaristët në zonën e Çarshisë thonë se mungesa e parkingut ka ndikuar negativisht edhe në turizëm dhe në bizneset lokale. “Ideja është shumë e mirë për ne që punojmë në Çarshi. Na duhet parking gjithsesi, se edhe turizmi largohet nëse parking nuk ka, sepse vijnë të jashtmit e parkojnë, nuk dijnë si t’i lëshojnë mesazhet për parking, ua marrin veturat. Ne si Shkup, si shesh, kemi nevojë për parking nëntokësor”, potencoi ai.
Përmes kësaj nisme, Mexhiti synon të modernizojë infrastrukturën urbane të komunës, duke e kthyer Çairin në një hapësirë funksionale, të rregullt dhe të qasshme për të gjithë qytetarët.
“Ky nuk është vetëm një projekt ndërtimi, është hapi i parë drejt një Çairi të ri, që funksionon dhe respekton nevojat e banorëve,” thuhet në mesazhin përmbyllës të videos së shpërndarë.