Më 7 shtator mbahet seanca e parë ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh

Advertisement

Më 7 shtator, në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Fatmir Shehollit, i cili akuzohet për spiunazh. Sipas gjykatës, seanca do të nisë në orën 09:30 dhe do të jetë e hapur për publikun.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Shehollit për dy vepra penale, spiunazh dhe shantazh. Ai akuzohet se ka bashkëpunuar me Agjencinë serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA), ndërsa për veprën tjetër penale dyshohet se ka shantazhuar një person për 13 mijë euro.

Në aktakuzën prej 80 faqesh, Prokuroria pretendon se Sheholli është rekrutuar nga BIA dhe se i ka raportuar një zyrtari të kësaj agjencie. Sipas aktakuzës, ai ka mbledhur dhe përcjellë përmes telefonit informacione dhe dokumente që lidhen me aktivitetet politike, situatën e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Sheholli është arrestuar në tetor të vitit 2025 nën dyshimin për spiunazh dhe aktualisht vazhdon të mbahet në paraburgim.

Rasti i tij është një nga disa hetime që autoritetet e Kosovës kanë zhvilluar viteve të fundit lidhur me dyshimet për spiunazh në favor të Serbisë.

Në qershor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi u deklarua fajtor për spiunazh si anëtar i BIA-s. Ndërkohë, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi po përballen me gjykim nën të njëjtat akuza.

Në gusht të këtij viti, është arrestuar edhe Fehim Sali nën dyshimet për spiunazh për Serbinë. Prokuroria Speciale pretendon se ai kishte mbledhur, ndër të tjera, informacione për persona të komunitetit vehabi.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit