30.8 C
Skopje
Tuesday, September 16, 2025

Mbyllja e deponisë në Nikushtak – Reagon Komuna e Likovës

Ministri i Ambientit Jetësor, Izet Mexhiti përmes një urdhëresë të lëshuar ditë më parë, ka mbyllur deponinë ilegale në fshatin Nikushtak të Komunës së Likovës. Një vendim i tillë erdhi pas protestave që banorët bënë ditë më parë duke i bllokuar kamionët e Ndërmarrjes Publike “Pisha” që po hidhnin mbeturinat aty edhe pas vendimit që ministria kishte marrë për pastrimin e asaj zone.

Në urdhëresë Mexhiti ka potencuar se “kjo masë ndërmerret për mbrojtjen e mjedisit jetësor  para se të shkaktohen pasoja të dëmshme dhe për të siguruar një nivel të lartë të mbrojtjes së mjedisit jetësor, jetës dhe shëndetit të njerëzve”. (Foto vendimi)

Komuna e Likovës përmes nje reagimi e ka vlerësuar si veprim arbitrar dhe politikisht të motivuar, me qëllim fitimin e pikëve ditore politike dhe mbulimin e deklaratave manipulative të funksionarëve të caktuar. Përmes një sqarimi, komuna ka publikuar dokumentet të cilat sipas tyre dëshmojnë dy vendime kundërthënëse të ministrit Mexhiti.

“Kjo urdhëresë bie ndesh me aktet e mëhershme të sjella vetë nga ministria, siç janë: Kontrata për furnizim publik të shërbimeve (pjesa 2), ku qartë përcaktohet mirëmbajtja e deponisë jo standarde në fshatin Nikushtak për periudhë 6-mujore. Komunikimi zyrtar i datës 29.08.2025, ku Ministria ka kërkuar nga Komuna e Likovës të caktojë person kontakt për evidentimin e kamionëve dhe formularëve të transportit. Procesverbali i Ministrisë për futjen në punë të kryerësit të punëve, i cili ka për detyrë nivelizimin, mbulimin dhe pastrimin e deponisë deri në momentin e hapjes së deponisë regjionale në Sveti Nikollë. Megjithatë, vetëm 20 ditë më pas, i njëjti institucion sjell akt për mbylljen e deponisë – një veprim kontradiktor dhe i pabazuar”, thonë nga Komuna e Likovës.

Sipas Komunës së Likovës, akti është sjellë në kundërshtim me Ligjin për menaxhimin e mbeturinave dhe pa dokument përkatës nga Inspektorati i Mjedisit Jetësor. Mbyllja e deponisë në Nikushtak erdhi pas vendimit që Qeveria morri për pastrimin e saj.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit