Në vigjilje të Ditës së Flamurit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK) u mblodhën sërish në Prishtinë, për të prezantuar ekspozitën e radhës, “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës në dokumente arkivore”.
Të pranishëm në këtë aktivitet të zhvilluar në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ishin drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, homologu i tij, Bislim Bislimi, studiues, përfaqësues të institucioneve bashkëpunëtore dhe qytetarë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Bido theksoi se bashkëpunimet e këtyre përmasave, përkojnë me vizionin e kësaj date historike për një Shqipëri të bashkuar.
”Në këtë vigjilje të Ditës së Flamurit, që është edhe dita kur në mënyrë të vijueshme shqiptarët treguan se janë bashkë, të jemi sot në Prishtinë e nesër në evenimentet që do të organizohen në Tiranë, për të kremtuar Shqipërinë e pandarë nga kufijtë e imponuar prej të tjerëve, kufijtë artificialë politikë. Nesër do të festojmë ditën e Skënderbeut, të Pavarësisë, do të festojmë 28 nëntorin e Adem Jasharit, që po ashtu dha jetën për shqiptarinë”, u shpreh kreu i DPA-së.
Më tej, Bido shtoi se kremtimi i përbashkët i këtyre ngjarjeve me rëndësi kombëtare, dëshmon se nuk ka kufij kulturorë në hapësirën shqiptare.