Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq tha në Hagë se dëshmitari Wesley Clark beson se është e padrejtë që gabimet e të tjerëve t’i atribuohen Thaçit.
“Bazuar në përgjegjësinë e përgjithshme të Gjenerali Clark dhe konstatimet e tij të drejtpërdrejta, ai beson që është e padrejtë t’i atribuohen gabimet e të tjerëve zotit Thaçi”, tha avokati Mishetiq gjatë leximit të përmbledhjes së dëshmisë për këtë dëshmitar.
Mishetiq i cili filloi i pari pyetjet për Clark, tha se ai është gjeneral i dekoruar në SHBA e që ka shërbyer si komandant i forcave aleate në Evropë.
Mishetiq tha se Clark ka qenë në dijeni për dhunën në verën e 1999-ës në Kosovë dhe këtë ua atribuon shumë faktorëve.
“Gjenerali Clark dëshmon se askush në zinxhirin hierarkik të NATO-s nuk mendoi se do të vazhdojë konflikti i armatosur pas qershorit 1999. Po ashtu, do të përshkruajë se ka qenë në dijeni për valën e dhunës në verën e 1999-ës pas kthimit të refugjatëve në Kosovë në vendin e tyre dhe ua atribuon dhunën faktorëve të ndryshëm përfshirë; urrejtjen, hakmarrje, gjakmarrjen dhe bandat kriminale”, tha Mishetiq.
Avokati tha se gjenerali Clark nuk beson që udhëheqja e UÇK-së ka qenë e angazhuar në këto akte dhune e po ashtu as Thaçi veçanërisht s’ka pasur motiv ta bëjë një gjë të tillë, shkruan Betimi për Drejtësi.
“Gjenerali Clark nuk beso që udhëheqja e UÇK-së ka qenë e angazhuar në këto akte dhunë kundër serbëve apo kundër pakicave si dhe as zoti Thaçi nuk ka pasur konkretisht motiv për t’u përfshirë në veprimtari të tilla. Së fundi, gjenerali Clark do të përshkruajë komunikimet e ndryshme që ka pasur me UÇK-në, delegacionin shqiptar të Kosovës në Rambuje dhe konkretisht me zotin Thaçin”, tha ai.
Përveç kësaj, sipas Mishetiq, Clark do të tregojë se në UÇK s’ka pasur organizim për hierarki nga poshtë-lart dhe se Thaçi ka qenë vetëm një figurë politike pa përvojë ushtarake
“Ai do të tregojë se nuk e ka parë UÇK-në si një organizatë të strukturuar mirë me funksionin nga lart-poshtë apo të kishte strukturë komande dhe kontrolli. Ai po ashtu ka parë se mungonte kontrolli në fakt dhe zoti Thaçi nuk kishte kontroll brenda UÇK-së dhe se ai ka qenë thjesht një figurë politike pa përvojë ushtarake dhe që kishte influencë të kufizuar ndaj ushtarëve të UÇK-së”, tha ai.
Sipas Mishetiq, Clark do të dëshmojë për përpjekjet e NATO-s për zbatimin e marrëveshjeve që ka pasur lidhje me konfliktin në Kosovë.
“Gjenerali Clark do të dëshmojë për përpjekjet e NATO-s për të zbatuar marrëveshjen Holbrooke dhe Millosheviq nga tetori i 1998-ës dhe për Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 119. Do të flasë për fushatën ajrore kundër forcave jugosllave pas refuzimit të Millosheviqit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë, dislokimin e forcave në Kosovë në përputhje me Marrëveshjen Teknike-Ushtarake dhe rezolutën e OKB-së 1244 dhe për procesin e demilitarizimit dhe transformimit të UÇK-së”, tha avokati.





