Përgjatë 89 kilometrave që ndajnë Prishtinën nga Krusha e Madhe, Rozi Ukajt i rrinte në mendje një fjali e shkencëtarit Albert Einstein.
“Nëse bleta do të zhdukej nga faqja e tokës, njeriut do t’i mbeteshin vetëm katër vjet jetë”, ishte fjalia në të cilën 11-vjeçarja kishte hasur, teksa lundronte në një aplikacion edukues të shkollës që ajo ndjek.
Që atëherë, jeta e prishtinases është pushtuar nga këto insekte verdhëzeza. Atë e udhëzon vetëm një qëllim: ta parandalojë testimin e këtij parashikimi duke luftuar për lulëzimin e bletëve në Tokë.

Vitin e kaluar, në Ditën Ndërkombëtare të Bletëve, më 22 maj, Rozi dhe familja e saj bënë udhëtimin drejt Krushës së Madhe – pjesa perëndimore e Kosovës – ku vizituan bletarinë “Korr e Ha n’Katun”.
E veshur në të bardhë si një bletare, Rozi ishte e vetmja nga e gjithë familja që nuk frikësohej të afrohej te kosheret e bletëve dhe të mbante në duar një kornizë druri të mbushur me dyll, mjaltë e bletë punëtore.
“Berati dhe Iliri [pronarët e biznesit] më mësuan se cilat pajisje duhet t’i ketë një bletërritës, si funksionojnë ato… Pastaj e përjetova edhe krijimin e një koshereje të re. Ishte një vend shumë i bukur, thjesht magjik”, thotë Rozi për Radion Evropa e Lirë.
Pas përvojës së saj në Krushë të Madhe, Rozi nuk reshti së hulumtuari për gjendjen e bletëve në Kosovë dhe botë. Në një librari pranë banesës së saj, ajo bleu çdo libër që gjeti për bletët.

Darkat e familjes Ukaj dominoheshin nga diskutime lidhur me rëndësinë e bletëve për jetën në Tokë edhe kur ata kishin mysafirë. Vaktet shërbeheshin edhe me fakte të ndryshme për bletët.
Për të prodhuar një kilogram mjaltë, një bletë duhet të vizitojë katër milionë lule.
Aristoteli, filozofi i njohur grek, ka shkruar se ilirët ishin bletarë të shkëlqyer.
Numri i koshereve të bletëve në Kosovë, në vitin 2022, ishte 196.122.
Nëna e Rozit, Merita, dhe babai i saj, Arianiti, qeshin teksa kujtojnë se si mysafirët ishin ankuar se në atë shtëpi nuk flitej për asgjë tjetër veç bletëve dhe rëndësisë së tyre.