Rritje e ndërgjegjësimit tek konsumatorët për rëndësinë e blerjes së produkteve bujqësore vendase dhe produkteve të përpunuara, e cila do të mbështesë fermerët, përpunuesit dhe ekonominë vendase, është qëllimi i fushatës së re të shpallur nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU).
Fushata do të titullohet “Më e mira nga Maqedonia” dhe, siç thotë ministri resor Cvetan Tripunovski, parashikon një risi – krijimin e një platforme për qasje të lehtë në informacione për prodhuesit dhe shitësit e produkteve bujqësore, si dhe për evidencë më të mirë të prodhimit bujqësor në vend.
“Muajt a kaluar punuam në një projekt me të cilin duam të nxitim blerjen e produkteve bujqësore vendase dhe produkteve të përpunuara. Fushata do të quhet “Më e mira nga Maqedonia”, ndërsa gjatë dhjetë ditëve të ardhshme do të ketë edhe një prezantim zyrtar. Do t’i promovojmë qëllimet dhe të gjitha aspektet që planifikojmë t’i zbatojmë dhe t’i arrijmë”, thekson Tripunovski.
Sipas tij, qëllimi është të inkurajohet blerja e produkteve bujqësore të Maqedonisë.
“Ajo që është esenca, thelbi i kësaj fushate, është të rrisim ndërgjegjësimin tek konsumatori i Maqedonisë se duke blerë produkte bujqësore dhe produkte të përpunuara nga Maqedonia, ne në fakt po ndihmojmë, para së gjithash, atë që e prodhon atë produkt. Ky është fermeri i respektuar që punon shumë në fusha për të prodhuar dhe për të pasur ushqim të mjaftueshëm. Duke blerë çdo produkt bujqësor, ne po ndihmojmë edhe ekonominë vendase, po ndihmojmë të gjithë përpunuesit që marrin pjesë në sektor”, thekson ministri.






