Më shumë se 4 tonë marihuanë, 18 mijë bimë narkotike, dhjetëra kilogramë heroinë, kokainë, amfetaminë si dhe mbi 100 armë zjarri dhe mbi 1000 fishekë u shkatërruan sot në mënyrë të kontrolluar në furrën industriale të kompanisë Makstil – Shkup, përcjell INA.
Operacioni u zhvillua në prani të Ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, drejtuesve të MPB-së, Agjencisë për Menaxhim me Pasuri të Konfiskuar, Komisionit Shtetëror për Shkatërrimin e Lëndëve Narkotike dhe Komisionit Kombëtar për Armë të Lehta dhe të Vogla.
“Sot po shkatërrojmë sasi rekord: mbi katër tonë marihuanë, 18 mijë bimë narkotike, 79 kilogramë lule marihuane dhe më shumë se 21 kilogramë droga të tjera si amfetaminë, heroinë dhe kokainë. Gjithashtu, po asgjësojmë mbi 100 armë zjarri dhe **mbi 1000 fishekë dhe komponentë të armëve,” deklaroi ministri Toshkovski.
Ai theksoi se ky aksion përçon një mesazh të qartë dhe të prerë se droga dhe armët ilegale nuk kanë vend dhe as të ardhme në Maqedoni.
“Me çdo gram droge ose armë të shkatërruar, rrisim sigurinë e qytetarëve tanë. Në të ardhmen priten edhe aksione më të mëdha për shkatërrimin e këtyre rreziqeve,” shtoi ai.
Toshkovski iu drejtua edhe qytetarëve, duke kujtuar se gjatë muajve të fundit ata kanë qenë dëshmitarë të goditjeve serioze ndaj bandave kriminale në Shkup dhe rajone të tjera. Ai siguroi se veprimi i paligjshëm nuk do të tolerohet, dhe se çdo sasi droge apo arme e konfiskuar do të asgjësohet me përgjegjësi dhe transparencë të plotë.(INA)