Pavarësisht përpjekjeve të komunës për të larguar qentë endacak nga rrugët e Tetovës, megjithatë ende raste ku qentë sillen nga qytete dhe rajone të tjera në Tetovë
Problemi me qentë endacak vazhdon të sfidojë edhe pushtetin aktual në komunën e Tetovës. Këtë vit komuna e Tetovës ka hapur strehimoren e qenve endacak në fshatin Ratajë të komunës së Jegunocit ku trajtohen qentë të cilët grumbullohen në territorin e komunës së Tetovës. Nga komuna e Tetovës kanë bërë të ditur se në këtë qendër aktualisht trajtohen 20 qen të pastreh. “Në periudhën e fundit, kemi kapur dhe trajtuar mbi 100 qen endacakë. Deri më 1 tetor, janë kapur dhe trajtuar gjithsej 95 qen, nga të cilët 10 janë adoptuar nga qytetarë të cilët kanë qenë të gatshëm për t’u kujdesur për ta. Në 5 raste është diagnostikuar leishmanioza, për të cilën, me ndërhyrjen tonë, qentë përkatës janë eutanizuar. Ndërkohë, 60 qenë janë kthyer në habitatin e tyre pas trajtimeve të nevojshme, dhe aktualisht kemi 20 qen që po strehohen në qendrat tona”, njoftoi Besarta Ramadani, zëdhënëse e komunës së Tetovës.
Më tej nga komuna e Tetovës kanë bërë të ditur se gjithë qentë e pastrehë janë trajtuar me standarde të larta dhe në përputhje me parimet humane.
“Procesi përfshin kapjen e kujdesshme të qenve, transportin e sigurt drejt spitalit veterinar, pritjen dhe ekzaminimin nga veterinerë të certifikuar, testet për socializim, analizat laboratorike për sëmundje, regjistrimin dhe identifikimin, vendosjen e çipave dhe etiketës në vesh, sterilizimin, tredhjen, akomodimin, kujdesin postoperativ, dhe vaksinimin e nevojshëm”, tha zëdhënësja Ramadani.
Pavarësisht përpjekjeve të komunës për të larguar qent endacak nga rrugët e Tetovës, megjithatë ende raste ku qentë sillen nga qytete dhe rajone të tjera në Tetovë. Kjo dukuri është e kamotshme dhe deri më tash ende nuk është zbuluar asnjë person apo subjekt juridik se sjellë qen endacak në Tetovë, prandaj komuna e Tetovës kërkon ndihmë nga qytetarët për kapjen e tyre.
“Komuna e Tetovës njofton se do të shpërblejë ata persona që sjellin prova,fotografi ose video të individëve që lëshojnë qen endacakë në qytetin tonë. Personat që kapen duke kryer këtë veprim do të ndëshkohen në përputhje me ligjin. Gjithashtu, ftojmë të gjithë ata që kanë mundësi dhe dëshirë të adoptojnë ndonjë nga qentë që kemi trajtuar. Ata mund të kontaktojnë me përfaqësuesit tanë për të realizuar këtë veprim human, duke kontribuar në sigurimin e një shtëpie të re dhe të përkujdesur për këta qen”, deklaroi Ramadani.
Qytetarët e Tetovës vazhdojnë të jenë të pasigurt në rrugë nga qentë endacak. Numri i rasteve kur qentë sulmojnë apo kafshojnë qytetarët është i lartë. Prezenca e qenve endacak në rrugët e Tetovës vazhdon të përbëjë kërcënim të sigurisë në rrugë dhe frikë për shumë qytetarë. Vitin e kaluar në Tetovë u regjistruan 73 raste të kafshimeve nga qentë endacakë. (koha.mk)