Zëdhënësi i Shtabit Lokal të VLEN-it në Çair, Sabri Aziri, në një deklaratë për media ka reaguar ndaj, siç tha, abuzimeve skandaloze me paratë publike në Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale” në krye me drejtorin e BDI-së, Sabahudin Rustemi, duke theksuar se qyteti i Shkupit dhe Çairi po përballen me pasojat e keqmenaxhimit dhe korrupsionit partiak.
“Dje ua paraqitëm qytetarëve të Çairit, Shkupit dhe gjithë opinionit publik faktet tronditëse se drejtuesit e NP ‘Higjiena Komunale’, në krye me Sabahudin Rustemin, kanë shpenzuar mbi 1.4 milionë euro nga paratë publike për ‘servisimin’ e parkut të automjeteve, ndërsa rezultati është katastrofal, automjete të prishura dhe qyteti i Shkupit i mbytur në mbeturina”, ka theksuar Aziri.
Sipas tij, me të njëjtën shumë parash, qyteti mund të kishte pasur flotë të re moderne automjetesh për mbledhjen e mbeturinave.
“Me 1.4 milionë euro, në vend të tenderëve klientelistë, mund të bliheshin 26-27 kamioneta të reja tip ‘Piaggio Porter’ për mbeturina, ose deri 40 kamionë të rinj të mesëm për mbledhjen e mbeturinave, apo mbi 80-90 kamioneta të vogla komerciale të përshtatura për lagje të vogla”, – theksoi ai, duke shtuar se “me këto para Shkupi, Çairi dhe gjitha komunat do të kishin park të plotë automjetesh moderne dhe qytetarët do të jetonin në pastërti”.
Sipas Azirit, pas gjithë kësaj qëndron heshtja dhe bashkëpërgjegjësia kandidatit të AKI-së për kryetar në komunën e Çairit, Bujar Osmani.
“Bujar Osmani, që del e shitet sot si mjek i shqetësuar dhe prind i mirë, nuk ka guxuar kurrë ta thërrasë në përgjegjësi shokun e tij drejtorin e ndërmarrjes. Për të, e rëndësishme nuk është pastërtia e Çairit, por mbrojtja e imazhit personal dhe kuadrove partiake”, është shprehur Aziri.
Ai theksoi se Osmani nuk ka qenë kurrë pranë qytetarëve të Çairit dhe se për më shumë se një dekadë i ka përdorur votat e tyre vetëm si trampolinë për pushtet qendror.
“Të gjithë e dinë se Bujar Osmani nuk është i afërt me njerëzit e Çairit. Për më shumë se 10 vite, ai i ka përdorur votat e kësaj komune vetëm si trampolinë për pushtetin qendror, ndërsa problemet e qytetarëve i ka lënë pas dore”, theksoi Aziri.
Në fund, zëdhënësi i Shtabit Lokal të VLEN-it në Çair, Sabri
Aziri u bëri thirrje qytetarëve të Çairit që më 19 tetor të bëjnë njëherë e mirë të largojnë BDI-në dhe funksionarët e saj nga skena politike.