Gjendja në lumin Vardar edhe sot ishte e tmerrshme, me shishe plastike që lundronin dhe me mbeturina të llojeve të ndryshme.
Ndërsa nga ana tjetër, në shumë lagje të Shkupit, vëreheshin kontejnerë të thyer dhe të shkatërruar që më shumë ngjanin në mbeturina se sa kosha ku duhet hedhur mbeturinat.
Gjendja vazhdon të mbetet e renduar me mbeturinat, e sidomos në Çair, ku në disa vende janë krijuar edhe deponi të egra që presin ekskavatorë për tu larguar.
“Si e komentoni situatën me mbeturinat? E keqe shumë, e tmerrshme, këtu qëndron gati dhjetë ditë”, tha një qytetar.
“Ja shihet vetë, çfarë të bëjmë. Si ta komentoj, kjo është e tmerrshme, jo vetëm këtu por e gjithë lagja është e tillë”, u përgjigj një tjetër qytetar.
“Ka dhjetë ditë që janë këtu. Ju jetoni afër? Po, ja këtu në këtë ndërtesë. Çdo qytetar normal do të donte të ishte pastër si në Zvicër apo Austri. Dhe nëse krahasohemi me ato shtete? Larg jemi, të gjithë kemi mendime për në Evropë por assesi të arrijmë në ndonjë nivel”, deklaroi një qytetar.
Përderisa qytetarët ankohen për papastërtinë në kryeqytet, në rrjetet sociale vazhdimisht shpërndahen video të minjve të cilët ushqehen lirshëm në mbeturina.
Qytetarët presin që pas emërimit të ri të sotëm të drejtorit të Higjienës Komunale, të ndërmerren masa konkrete për pastrimin e mbeturinave dhe përmirësimin e gjendjes higjienike në kryeqytet. Ndërkohë, apelojnë për reagim urgjent të institucioneve, duke paralajmëruar se ndotja po rrezikon edhe shëndetin publik. /Alsat.mk





