Kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Qeverisë, e cila do të zhvillohet nesër në orën 11:00, me fokus miratimin e masave për përballimin e rritjes së çmimeve të karburanteve.
Duke folur sot nga Komuna e Ilindenit, Mickoski u përgjigj edhe në pyetjet e gazetarëve lidhur me situatën e çmimeve të derivateve, duke theksuar se janë përmbushur kushtet për uljen e akcizës. Sipas tij, parashihet që akciza për naftën të ulet për 4 denarë për litër, ndërsa për benzinën për 2 denarë për litër.
Ai theksoi se këto masa synojnë të zbusin goditjen që rritja e çmimeve ka mbi qytetarët dhe ekonominë, duke shtuar se Qeveria do të ndërmarrë hapa konkretë për stabilizimin e tregut.
Në seancën e nesërme pritet që këto masa të formalizohen dhe të miratohen, ndërsa pas përfundimit të saj pritet një komunikatë zyrtare me detaje shtesë mbi vendimet dhe zbatimin e tyre.



