Jerusalem, 21 janar – Me ftesë të kryetarit të Grupit të Miqësisë Izrael-Maqedonia e Veriut, Hamad Amar, një delegacion i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim me Parlamentin/Knesetin e Shtetit të Izraelit po zhvillon një vizitë kthimi në Izrael në periudhën 18-22 janar 2026. Delegacionin e kryeson deputetja Rashella Mizrahi, kryetare e Grupit për bashkëpunim, ndërsa pjesë e tij është edhe Musa Xhaferi, kryetar i Komisionit parlamentar për Politikë të Jashtme, Vesna Bendevska, nënkryetare e Parflamentit, si dhe deputetët e VMRO-së, Lupço Prenxhov dhe Nikolla Micevski.
Programi i vizitës filloi me një vizitë në Qendrën Botërore të Kujtesës së Holokaustit “Yad Vashem”, ku delegacioni mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së kurorës me lule, duke nderuar viktimat e Holokaustit.
Në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Komiteti Hebre-Amerikan (AJC), delegacioni pati mundësinë të marrë pjesë në diskutim me drejtoreshën e Komitetit, Avital Leibovich. Ky Komitet është themeluar në vitin 1906 në Nju Jork, si përgjigje ndaj rritjes së antisemitizmit dhe diskriminimit, me qëllim mbrojtjen e të drejtave civile dhe fetare të hebrenjve dhe promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Sot, AJC është një organizatë globale e përkushtuar në luftën kundër antisemitizmit, mbështetjen e Izraelit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe tolerancës.
Si ligjërues, që paraqitën pikëpamjet e tyre për situatën aktuale në Lindjen e Mesme dhe Iran, ishin të ftuar dr. Efraim Inbar, kryetar i Departamentit për Strategji, Diplomaci dhe Siguri në Kolegjin Shalem dhe ish-kryetar i Institutit të Jerusalemit për Strategji dhe Siguri, si dhe Daniela Citrinoëicz, hulumtuese e lartë në Programin për Iranin dhe Boshtin Shiit në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare.
Drejtoresha Leibovich informoi se pas ngjarjeve tragjike të 7 tetorit 2025, AJC aktivizoi rrjetin e saj global dhe themeloi Qendrën për Lindjen e Mesme të Re, me qëllim që të kontribuojë në një të ardhme më të ndritur dhe më të ndërlidhur në rajon. Qendra fokusohet në tri sektorë kyç: diplomaci, biznes dhe shoqëri civile, duke shfrytëzuar rrjetin e 15 zyrave ndërkombëtare, përfshirë Jerusalemin dhe Abu Dhabin, për ndërtimin e urave të bashkëpunimit, formësimin e politikave dhe nxitjen e një Lindjeje të Mesme të begatë dhe të integruar.
Programi përfshiu edhe një vizitë në Spitalin Sheba në Tel Aviv, ku delegacioni zhvilloi një takim me grupin e mjekëve dhe personelin mjekësor që, me vendim të Qeverisë së Izraelit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, u dërguan menjëherë për ndihmë urgjente mjekësore për qytetarët e Maqedonisë së Veriut të lënduar në zjarrin tragjik në diskotekën “Pulse” në Koçan, në mars të këtij viti, ku humbën jetën 63 të rinj.
Për reagimin e shpejtë të Qeverisë së Shtetit të Izraelit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe të biznesmenëve dhe filantropëve izraelitë, të cilët kuptuan përmasat e tragjedisë dhe u përgjigjën me ndihmë profesionale urgjente, si dhe për përkushtimin dhe vetmohimin e jashtëzakonshëm të mjekëve dhe të gjithë ekipit mjekësor, delegacioni i Kuvendit shprehu mirënjohje të veçantë duke dorëzuar dhurata simbolike për mjekët dhe personelin shëndetësor.
Dhuratat për Spitalin Sheba dhe për Ministrinë e Shëndetësisë u dorëzuan në emër të Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, dhe në emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit, duke shprehur kështu falënderimin e thellë ndaj shtetit të Izraelit për ndihmën e çmuar të ofruar pas kësaj tragjedie të paprecedentë që tronditi vendin tonë. Kryetarja e Grupit, Rashella Mizrahi, dhe të gjithë anëtarët e delegacionit i dorëzuan dhuratat gjatë takimeve në institucionet shëndetësore. Ky gjest u prit me mirënjohje të madhe nga mjekët, personeli mjekësor dhe nga mikpritësit në Kneset.
Në Institutin Volcani (Qendër Kërkimore për Bujqësi), delegacionit iu prezantua puna e këtyre institucioneve në fushën e zbatimit të praktikave të teknologjisë së lartë në bujqësi dhe në kultivimin e kulturave bujqësore në kushte klimatike shumë specifike, që ndryshojnë ndjeshëm – nga klima mesdhetare në veri deri te thatësira në jug. Hulumtimet e gjera bujqësore, veçanërisht nga institucione si Instituti Volcani, kanë çuar në zhvillimin e varieteteve rezistente ndaj thatësirës, kulturave rezistente ndaj kripësisë dhe teknikave inovative të kultivimit, përmes zhvillimit të metodave bujqësore të sofistikuara dhe teknologjikisht intensive, të përshtatura me klimën specifike të Izraelit.



