Këngëtarja dhe kantautorja amerikane Mariah Carey do të performojë në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore të vitit të ardhshëm.
Siç shkruan BBC, fituesja pesë herë e çmimit “Grammy” do të jetë një nga “performueset kryesore” në eventin që do të mbahet në stadiumin San Siro të Milanos, shtëpia e klubeve të futbollit Inter dhe AC Milan, të premten, më 6 shkurt.
Lojërat në Milano dhe Cortina do të zhvillohen nga data 6 deri më 22 shkurt. Atletët do të kenë mundësi të marrin pjesë në ceremoninë hapëse edhe nga vende të tjera si Milano, Cortina, Valtellina dhe Val di Fiemme.
Këngëtarja 56 vjeçare, ka qenë pjesë e ngjarjeve të mëdha sportive edhe më parë, pasi ka kënduar himnin kombëtar të SHBA-ve në Super Bowl të NFL-së në vitin 2002 dhe në ndeshjen All-Star të NBA-së në vitin 2003. Po ashtu ka performuar në finalen e tenisit të US Open për femra në vitin 2020.
Ajo do të ndjekë hapat e Celine Dion dhe Lady Gaga, të cilat performuan në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Verore 2024 në Paris./KultPlus.com





