Në disa qytete dhe vendbanime të Maqedonisë së Veriut, për sot dhe nesër janë paralajmëruar pesë protesta qytetare, të cilat kanë në fokus mbrojtjen e mjedisit, reagimin kundër dhunës ndaj grave, si dhe kundërshtimin ndaj veprimeve që, sipas qytetarëve dhe organizatave lokale, po dëmtojnë cilësinë e jetës dhe ambientin.
Protesta kundër dhunës ndaj grave
Pasditen e sotme në Shkup, lëvizja “Asnjë më shumë” do të organizojë një protestë për të kërkuar reagim institucional ndaj dhunës ndaj grave. Protesta vjen pas vrasjes së 31-vjeçares Rosica Koceva nga Velesi, e cila, sipas të dhënave të publikuara, për një kohë të gjatë kishte qenë viktimë e dhunës psikologjike dhe fizike, ndërkohë që autoritetet nuk kishin ndërmarrë masa adekuate për mbrojtjen e saj.
Katër protesta të tjera për nesër
Për të premten janë paralajmëruar katër protesta në Strugë, Shkup dhe Lubojno të Prespës:
- Strugë (ora 14:00–15:00): Qytetarët do ta bllokojnë rrethrrotullimin në hyrje të qytetit, në shenjë proteste ndaj ndotjes së vazhdueshme nga deponia komunale në Fushën e Strugës, e cila ndodhet rreth 500 metra nga zonat e banuara.
- Shkup, Aerodrom (ora 07:30): Aktivistë dhe banorë do të bllokojnë urën “Binjakët”, që lidh komunat Aerodrom dhe Gazi Babë, si reagim ndaj deponisë ilegale në zonën e njohur si “Vardarishtë”. Po atë ditë, nga ora 18:00, do të vazhdojë edhe protesta e përditshme e banorëve dhe aktivistëve.
- Shkup, Gazi Babë (ora 18:00): Në kryqëzimin “Termo-Rampa”, pranë kalimit hekurudhor për në Madjar, do të mbahet një protestë e veçantë kundër të njëjtës deponi, duke theksuar shqetësimet për ndikimin në shëndet dhe ambient.
Lubojno, Prespë (ora 09:30): Banorët e fshatit prespanik po protestojnë çdo ditë prej më shumë se një muaji e gjysmë kundër prerjes së pyllit në kodrën mbi fshat. Ata pretendojnë se veprimet po kryhen në mënyrë të paligjshme nga ndërmarrja shtetërore “Pyjet Kombëtare”.
Reagimet e aktivistëve
Aktivistët e organizatës “Roja e Gjelbër Popullore” kanë publikuar një mesazh në rrjetet sociale, ku theksojnë se “Maqedonia nuk është deponi, miniera, lumenj të tharë e pyje të shkatërruara”, duke kërkuar nga autoritetet që të marrin masa konkrete dhe të dëgjojnë zërin e qytetarëve.
Ndërkohë që institucionet nuk kanë dhënë deklarata publike lidhur me protestat, pjesëmarrësit thonë se do të vazhdojnë aktivitetet e tyre deri në adresimin e kërkesave.