Maqedonia po përgatit një kthesë radikale në ligjin për ndalimin e pirjes së duhanit. Ndalimi do të vlejë për të gjitha hapësirat e mbyllura me karakter publik, ndërsa importi dhe shitja e produkteve të duhanit dhe nikotinës do të kufizohen ndjeshëm. Cigareve do t’u hiqet plotësisht ekspozimi nga fusha e shikimit të blerësve në markete.
Është hartuar ligji i ri për mbrojtje nga pirja e duhanit, i cili do të vihet në debat publik. Sipas versionit aktual, në të cilin ka pasur qasje televizioni Telma, parashikohen rregulla shumë rigoroze për të gjitha institucionet publike të mbyllura.
“Ndalimi vlen për të gjitha objektet hotelierike për ushqim, përfshirë restorantet, baret, mejhanet dhe kantinat”, janë pjesë e ndryshimeve të propozuara të ligjit për duhanin.
Pirja e duhanit, sipas dispozitave të ligjit, do të ndalohet edhe në tarracat e lokaleve, nëse ato nuk janë plotësisht të hapura nga të paktën tri anë, thuhet në projektligj. Ndalim do të ketë edhe për pirjen e duhanit në automjet në prani të një fëmije, në stacionet e autobusëve dhe hekurudhave, në tregje, si dhe në një sërë institucionesh dhe hapësirash të tjera publike.
I njëjti ndalim, me projektligjin e ri, do të vlejë edhe për të gjitha llojet e cigareve elektronike dhe pajisjeve vape. Po ashtu, ndalohet përdorimi i cigareve të aromatizuara.
“Ndalohet prodhimi, importi, shpërndarja, shitja dhe hedhja në qarkullim e produkteve të duhanit dhe nikotinës që përmbajnë aroma ose shije”, thuhet në projektligj.
Gjithashtu, cigaret – qoftë tradicionale apo elektronike – do të ndalohen për reklamim dhe nuk do të lejohen të ekspozohen dukshëm në rafte.
Këto janë disa nga ndryshimet e reja, më të ashpra ligjore të Ligjit për duhanin, të cilat pritet së shpejti të publikohen në platformën ENER dhe të hapin debat publik.
Nga Ministria e Shëndetësisë, si hartues të këtyre ndryshimeve, thonë se ato janë të domosdoshme dhe se qëllimi është parandalimi i një katastrofe shëndetësore.
“Me projektligjin parashikohet vendosja e rregullave më të qarta dhe më të rrepta për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, me fokus në parandalim dhe mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve. Qëllimi i zgjidhjes ligjore të përgatitur është ulja e ekspozimit ndaj tymit dhe aerosoleve dhe parandalimi i krijimit të gjeneratave të reja të varësisë”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Së fundmi, drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor njoftoi se shkalla e duhanpirjes te të rriturit është mbi 45 për qind, shumë mbi mesataren evropiane. Gjysma e duhanpirësve konsumojnë më shumë se 20 cigare në ditë. Statistikat tregojnë gjithashtu se në vend çdo vit vdesin rreth 4.000 persona nga sëmundje të lidhura me pirjen e duhanit.



