Një delegacion i Maqedonisë së Veriut, i udhëhequr nga ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale Sanja Bozhinovska, së bashku me ekipin nga Sektori i Naftës dhe Gazit i Ministrisë dhe drejtuesit e Nomagas, MEMO dhe MEPSO, qëndruan në Beograd me ftesë të ministres serbe të Minierave dhe Energjetikës Dubravka Handanoviq Gjuroviç.
Fokusi kryesor i vizitës ishte zbatimi i përshpejtuar i interkonektorit të gazit midis Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë – projekt me rëndësi strategjike për lidhjen rajonale dhe sigurinë energjetike afatgjate. Siç informon Ministria e Energjetikës, në takimin e punës u shqyrtuan hapat kryesorë teknikë, financiarë dhe institucionalë të nevojshëm për të vazhduar aktivitetet për ndërtimin e interkonektorit.
Ky projekt infrastrukturor, me gjatësi totale prej afërsisht 67 kilometrash (23 km në territorin e Maqedonisë së Veriut dhe 44 km në Serbi), do të lidhë sistemet e gazit të të dy vendeve – në anën e Maqedonisë me një lidhje në Kleçovcë, ndërsa në Serbi me rrjetin kombëtar të gazsjellësit në Vranjë.
Banka Botërore dhe banka të tjera komerciale janë gjithashtu të interesuara për financim, pasi interkonektori është pjesë e një vizioni më të gjerë për një treg rajonal të gazit të integruar, të diversifikuar dhe të sigurt. Sipas dinamikës së dakorduar, ndërtimi i tij pritet të përfundojë në vitin 2027. Gazi i parë pritet të rrjedhë përmes tubacionit të ri në vitin 2028. Interkonektori është planifikuar gjithashtu të jetë teknikisht gati për transportin e ardhshëm të hidrogjenit, në përputhje me objektivat afatgjata evropiane të energjisë dhe politikat e gjelbra.
Ministrja Bozhinovska theksoi se projekti po përparon sipas dinamikës së përcaktuar dhe harmonizuar mes dy grupeve të punës. “Interkonektori me Serbinë është projekti kyç që do ta hapë vendin tonë ndaj burimeve të reja të gazit dhe do të forcojë stabilitetin rajonal të energjisë. Por kjo është gjithashtu një nga lidhjet më të rëndësishme infrastrukturore për të gjithë rajonin – e rëndësishme jo vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, por edhe për të gjithë Evropën. Ne kemi përfunduar studimet, rrugë të koordinuar dhe veprime të koordinuara që tashmë janë duke u zbatuar.
Qëllimi ynë është që interkonektori të bëhet realitet sa më shpejt të jetë e mundur, sepse çdo ditë është e rëndësishme për sigurinë e qytetarëve dhe të ekonomisë”, theksoi Bozhinovska. Ministrja serbe Handanoviq Gjuroviq e theksoi rëndësinë e vizionit të përbashkët rajonal.
“Interkonektori i gazit me Maqedoninë e Veriut është projekt që ka rëndësi përtej kufijve tanë. Është pjesë e një vizioni për një rajon të lidhur me energjinë, të qëndrueshëm dhe në përputhje me qëllimet evropiane. Bashkëpunimi me ministren Bozhinovska dhe ekipin maqedonas është intensiv dhe konstruktiv. Me mbështetjen e ‘Transport Gas Serbia’ dhe ‘Nomagas’, do të krijojmë një bosht të ri energjetik të stabilitetit midis dy vendeve. Ne ramë dakord për takime intensive të rregullta, në mënyrë që interkonektori të bëhet realitet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ministrja.

Dy delegacionet e konfirmuan përkushtimin e plotë për koordinim intensiv dhe përmbushje me kohë të të gjitha detyrimeve. Në fund të takimit ishte konfirmuar përcaktimi i përbashkët për koordinim të fuqishëm institucional dhe teknik me qëllim të qartë – interkonektori i gazit Maqedoni e Veriut – Serbi të bëhet lidhje e sigurt energjetike funksionale, moderne, e cila do të sigurojë siguri më të madhe, divesifikim dhe integrim rajonal, në interes të qytetarëve, ekonomisë dhe gjithë rajonit.
Pjesë e delegacionit që e kryesoi ministrja Bozhinovska, ishin edhe drejtori i Nomagaz, Nedim Rama, zëvendësdrejtori i MEPSO, Aleksandar Paunovski, drejtori i MEMO-s, Zoran Gjeorgjievski dhe udhëheqësi i Sektorit për Naftë dhe Gaz në kuadër të MEMBR, Goran Nikollovski.





