Sot ngre siparin Festivali i 64-të i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, eventi më i rëndësishëm i muzikës së lehtë shqiptare, i cili këtë vit vjen me moton “Neo Albania Future”, si një vizion modern dhe orientim drejt së ardhmes së muzikës shqiptare.
Festivali do të zhvillohet nga data 17 deri më 20 dhjetor në Pallatin e Kongreseve, duke premtuar emocione, surpriza dhe performanca spektakolare gjatë katër netëve radhazi. Në natën e parë, në skenë do të ngjiten 14 artistë, të cilët do të prezantojnë këngët e tyre të shoqëruara me performanca skenike të kuruara në detaje.
Organizatorët kanë paralajmëruar edhe të ftuar specialë, emrat e të cilëve do të mbahen surprizë deri në nisjen e spektaklit, ndërsa përgatitjet janë në fazën finale për t’i dhënë festivalit magjinë dhe shkëlqimin që e karakterizon ndër vite.
Gjatë katër netëve, publiku do të ketë mundësi të shijojë emra të njohur të muzikës shqiptare dhe ndërkombëtare. Skenaristi i festivalit, Koloreto Cukali, ka zbuluar disa nga momentet më të veçanta të këtij edicioni.
“Rikthejmë në skenë Shkodra Elektronike, një vit pas performancës që na bëri krenarë në Eurovizion. Do të kemi rikthimin e Bleona Qeretit me një performancë ekstravagante, në 30-vjetorin e këngës së saj të parë ‘Lërmëni’, e cila do të interpretohet sërish në të njëjtën skenë. Pjesë e festivalit do të jetë edhe tenori Ramë Lahaj, si dhe të ftuar të tjerë që do të mbeten surprizë,” u shpreh Cukali.
Prezantuesit e Festivalit të 64-të do të jenë këngëtarja Arilena Ara dhe aktori i humorit Salsano Rrapi, të cilët do të udhëheqin spektaklin gjatë katër netëve, ku do të garojnë gjithsej 28 këngëtarë.
Ndërkohë, drejtoresha e RTSH-së, Eni Vasili, ka zbuluar të ftuarin special të natës finale. Ajo ka konfirmuar se këngëtari estonez Tommy Cash, përfaqësues i Estonisë në Eurovizionin e këtij viti me këngën “Espresso Macchiato”, do të performojë në natën e katërt të festivalit.
Producentja e festivalit, Belioza Çoku, ka theksuar se tema “Neo Albania Future” synon të sjellë një qasje vizionare dhe moderne për muzikën shqiptare, ndërsa dirigjenti Alfred Kaçinari e ka cilësuar si risi kryesore përfshirjen e këngëtarëve të rinj, të cilët janë edhe fokusi kryesor i këtij edicioni.
Sipas strukturës së festivalit, dy netët e para do t’i kushtohen prezantimit të këngëve për publikun dhe jurinë, nata e tretë do të jetë një udhëtim nostalgjik në historinë e Festivalit të Këngës, ndërsa nata finale do të shpallë fituesin që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026.
Festivali i 64-të i Këngës do të transmetohet ekskluzivisht në ekranin e RTSH-së, duke synuar të bashkojë familjet shqiptare përpara ekranit, “aty ku muzika bashkon brezat”.
Artistët pjesëmarrës në Festivalin e 64-të të Këngës:
2 Farm
Alis
Egzon Pireci
Endri Kaçaçi
Enxhi Nasufi
Erand Sojli
Erik Lloshi
Evi Reçi
Fifi & Tiri Gjoci
Frensi
Gerta Mahmutaj
Ghiti
Gresa Gjocera & Bledi Kaso
Inis Neziri
Kamela Islamaj
Kimi
Kleansa Susaj
Lorenc Hasrama
Luna Çausholli
Malvina Likaj
Rezarta Smaja
Rigersa Loka
Sara Kapo
Savjana Vjerdha
Sihana Haxhnikaj
Sheila
Threex
Vedat Ademi
/KultPlus.com





