Nga janari deri në korrik të këtij viti janë pasivizuar 174 adresa në Komunën e Preshevës, ndërsa 26 në Bujanoc, tha Nevzad Luftiu nga Këshilli Kombëtar Shqiptar.
“E frikshme, po shuhemi”, shkroi ai në Facebook.
Ai tha se ajo që po ndodh është racizëm dhe një spastrim i pastër etnik.
“Më datë 04.08.2025, i kërkova qasje në informacione stacioneve policore në Bujanoc dhe Preshevë, me pyetjen: Sa adresa janë pasivizuar në këto dy komuna, nga janari deri në korrik 2025? Përgjigjen me shkrim e mora dje: gjatë periudhës së lartpërmendur, në Komunën e Preshevës janë pasivizuar 174 adresa, ndërsa në Komunën e Bujanocit 26 adresa”, shkroi Lutfiu ndërsa shtoi se është në pritje edhe të një përgjigjeje tjetër për të verifikuar të dhënat për Bujanocin.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë akterëve politikë shqiptarë që të mblidhen “për t’u koordinuar dhe për të bashkëvepruar”.
Pasivizmi i adresës është i përcaktuar me ligj në Serbi, që prej vitit 2011, dhe parasheh që institucionet të bëjnë kontrolle për të verifikuar nëse një banor jeton në adresën e regjistruar.
Fshirja e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar nënkupton pasivizim. Në këtë mënyrë, humb e drejta për të votuar, për të pasur pronë, pension apo për t’u punësuar në Serbi.
Shqiptarët të cilët jetojnë në komunat në jug të Serbisë – Preshevë, Medvegjë e Bujanoc – ka kohë që ankohen për pasiviizm të adresave.
Një raport i Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, në vitin 2021 i pati thënë se çështja e pasivizimit të adresave në thelb është formë e spastirmit etnik përmes metodave administrative.





