Me gjithë goditjet ndaj drejtuesve, forcat iraniane nuk po tërhiqen. Ato po tregojnë aftësi përshtatjeje dhe rezistence, të mbështetura në përvojën e viteve të fundit. Strategjia duket e qartë: Konsumimi gradual i kundërshtarit në një betejë të gjatë. Nga ana tjetër, Trump ka përmendur një afat prej “katër ose pesë javësh” për përfundimin e operacionit “Epic Fury”. Sa real është ky afat, do ta tregojnë javët në vijim
Heshta kundër mburojës. Një pjesë e konfliktit po zhvillohet pikërisht me këtë logjikë, por në versionin më modern të armëve. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli godasin nga distanca të largëta me sisteme të avancuara ndaj qindra objektivave, ndërsa Irani kundërpërgjigjet me raketa tokë-tokë dhe dronë kamikazë. Të dyja palët po konsumojnë sasi të mëdha armatimi, duke ulur rezervat dhe duke ngritur pikëpyetje mbi sa gjatë mund të përballohet ky ritëm lufte. Boshti perëndimor ka vazhduar goditjet ndaj Teheranit, bazave ushtarake, lëshuesve të raketave dhe qendrave të komandës, me dy objektiva të qarta: Shkatërrimin e arsenalit dhe eliminimin e drejtuesve kyç.
Në orët e fundit, Izraeli ka njoftuar vrasjen e krerëve të inteligjencës iraniane. Dyshohet se janë goditur edhe laboratorë bërthamorë. Qëllimi është dobësimi i mbrojtjes, nxjerrja jashtë funksionit e industrisë ushtarake dhe neutralizimi i pajisjeve. Një mision i vështirë, duke qenë se territori është i gjerë, objektivat janë të shpërndara, shumë prej tyre të mbrojtura mirë apo të kamufluara. Për shembull, dronët Shahed mund të transportohen në kamionë të zakonshëm civilë, të mbuluar me çadra të thjeshta.
OBJEKTIVAT
Shefi i shtabit të përgjithshëm amerikan, gjenerali Dan Caine, ka deklaruar se në orët e para janë goditur rreth 1 mijë objektiva. Israel Defense Forces ka bërë të ditur se që nga fillimi i ofensivës janë shkatërruar 600 site, mes tyre 20 të forcave të sigurisë, 150 raketa balistike dhe lëshues, si dhe 200 bateri kundërajrore. Janë hedhur mbi 2 mijë e 500 bomba. Edhe pse është pretenduar kontroll i hapësirës ajrore, incidentet tregojnë se epërsia nuk i eliminon rreziqet. Në Kuvajt, tre avionë amerikanë F-15 janë rrëzuar, sipas versionit zyrtar nga “zjarri mik”. Ekuipazhet kanë shpëtuar. Ngjarja është nën hetim, por tregon kompleksitetin e situatës. Pentagoni ka nisur përforcime drejt Gjirit dhe ka garantuar se ka burime të mjaftueshme.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka përjashtuar për momentin dërgimin e trupave tokësore, por pa e mbyllur derën për të ardhmen. I njëjti qëndrim është shprehur edhe nga Donald Trump, me kushtin “nëse do të jetë e nevojshme”. Ai ka deklaruar se municionet janë të bollshme.
Ndërkohë, gjashtë ushtarakë të tjerë kanë humbur jetën në rajonin e Kuvajtit, të vrarë me gjasë nga bombardimet armike. Irani ka zgjeruar përplasjen duke përfshirë SHBA-të, Izraelin dhe vendet aleate të Uashingtonit në rajon. Një nga episodet më të bujshme ka ndodhur në Qipro, ku një dron ka arritur pistën e bazës britanike në Akrotiri. Dyshohet për përfshirje të Hezbollahut libanez, që ka hyrë në konflikt. Veprimi shihet si kundërpërgjigje ndaj përdorimit të ishullit nga forcat anglo-amerikane dhe shërbimet e inteligjencës.
PASDARANËT DHE ZGJERIMI I FRONTIT
Goditje të rënda janë raportuar në impiantet saudite të naftës në Ras Tanura dhe në strukturat e gazit në Katar, të cilat janë mbyllur, me pasoja të mundshme edhe për furnizimin europian. Forcat e Gardës Revolucionare iraniane kanë shtuar intensitetin, duke kaluar në breshëri prej 9 deri në 30 raketa njëherësh, shpesh të kombinuara me dronë. Emiratet e Bashkuara Arabe pretendojnë se kanë rrëzuar 161 nga 174 raketa dhe 645 nga 689 dronë. Katari ka njoftuar se ka rrëzuar dy avionë Su-24 dhe ka neutralizuar shtatë raketa. Sistemet e tyre mbrojtëse përfshijnë teknologji perëndimore, izraelite dhe ruse.
MURI MBROJTËS DHE KONSUMIMI I REZERVAVE
Shifrat tregojnë se mbrojtja funksionon pjesërisht, por me kosto të lartë. Ekspertët vlerësojnë se për çdo raketë hyrëse duhen 2-3 interceptorë, të cilët kushtojnë miliona dollarë. Dronët, që kushtojnë rreth 35-40 mijë dollarë, kërkojnë mjete shumë më të shtrenjta për t’u rrëzuar. Sistemet si Patriot, Arrow 3 apo Thaad janë thelbësore, por numri i tyre është sekret shtetëror.
Sipas agjencisë Bloomberg, Katari mund të mbetet pa raketa Patriot brenda katër ditësh dhe Emiratet brenda shtatë. Industria e mbrojtjes has vështirësi në zëvendësimin e shpejtë të rezervave, ndërsa konflikti mund të ndikojë edhe në fronte të tjera si Ukraina, Tajvani apo Gadishulli Korean.
Me gjithë goditjet ndaj drejtuesve, forcat iraniane nuk po tërhiqen. Ato po tregojnë aftësi përshtatjeje dhe rezistence, të mbështetura në përvojën e viteve të fundit. Strategjia duket e qartë: Konsumimi gradual i kundërshtarit në një betejë të gjatë. Nga ana tjetër, Trump ka përmendur një afat prej “katër ose pesë javësh” për përfundimin e operacionit “Epic Fury”. Sa real është ky afat, do ta tregojnë javët në vijim.(CNN)



