0.8 C
Skopje
Sunday, December 21, 2025

LSDM kërkon shpalljen e krizës ekologjike dhe shëndetësore në Shkup për shkak të ajrit të ndotur

Grupi këshilltar i LSDM-së në Shkup, i udhëhequr nga Katarina Canevska Arsovska, kërkon shpalljen e krizës ekologjike dhe shëndetësore në kryeqytet për shkak të nivelit të lartë të ndotjes së ajrit.

“Banorët e Shkupit po mbyten në ajër të ndotur për ditë me radhë. Sipas të dhënave zyrtare, Shkupi është qyteti më i ndotur në Evropë, prandaj kërkojmë shpalljen e krizës ekologjike dhe shëndetësore,” tha Arsovska në një konferencë për media.

Ajo shtoi se duhet të miratohet një vendim që ulja e ndotjes së ajrit të jetë prioritet dhe të sigurohet financim i menjëhershëm për masa konkrete nga Qyteti i Shkupit, pasi deri tani nuk janë investuar mjete në projekte për ajër më të pastër.

Grupi këshilltar i LSDM-së ka paraqitur iniciativë për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Këshillit të Qytetit të Shkupit. Në këtë seancë do të propozojnë masa si: transport publik falas në ditët me ajër të ndotur, kërkesa për fonde nga qeveria për filtrat e tymit për ndotësit e mëdhenj, ripërdorim i fondeve për pastrues ajri dhe ngrohje ekologjike për qytetarët, ndalim i ngrohjes me dru dhe qymyr në zonat me ngrohje qendrore, pastrimi i deponive ilegale, larja e rrugëve dhe fonde për projekte ekologjike.

Canevska Arsovska theksoi: “Nuk mund të ketë para për tenderë miliona eurosh për një firmë, ndërkohë që nuk ka fonde për qytetarët e Shkupit. Pasurimi i individëve në pushtet nuk mund të jetë më i rëndësishëm se shëndeti i qytetarëve.”

LSDM i bën thirrje të gjitha grupimeve këshilltare të bashkohen për të miratuar masa të menjëhershme për mbrojtjen e shëndetit të banorëve të Shkupit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit