Institucionet bullgare po vendosin se çfarë të bëjnë me gjashtë lopë, të cilat para pak ditësh kaluan kufirin nga Maqedonia në afërsi të fshatit Gjueshevë të Qustendilit, njofton Radioja Kombëtare Bullgare.
Kafshët janë kapur dhe janë vendosur në një objekt të përkohshëm blegtoral të komunës, ndërsa një komision i shërbimeve të autorizuara bullgare dhe maqedonase po vendos se si do të veprohet në këtë rast.
Nuk dihet nëse këto gjashtë lopë janë pjesë e gjedheve që lëvizin lirshëm në zonën e Koritës së Kriva Pallankës, duke shkaktuar tension të madh mes banorëve dhe pronarëve, problem ky që autoritetet kompetente maqedonase ende nuk po arrijnë ta zgjidhin.
Kafshët janë vërejtur në tokën e fshatit Gjueshevë, ndërsa kryetarja e fshatit e ka denoncuar rastin në komunë. Ato janë kapur dhe janë transportuar në një objekt të përkohshëm për blegtori.
Komisioni rajonal për kontrollin e ushqimit, autoritetet kufitare dhe ato komunale do të marrin vendimin përfundimtar për fatin e tyre.
Para disa vitesh, lopa Penka shkeli kufirin duke hyrë nga Serbia në afërsi të fshatit Oltomanci të Qustendilit.
Sipas rregulloreve evropiane, pas hyrjes nga një vend jashtë BE-së, ajo duhej të asgjësohej.
Ky rast u kthye në një problem ndërkombëtar – në fund, lopa u kursye dhe pronari i saj nga fshati Kopillovci u kujdes për të në kopenë e tij për vite me radhë.



