Limani: Në vitin 2026 angazhim më i fortë për mbajtjen e të rinjve në vend, mbështetjen e familjeve dhe ndërtimin e politikave inkluzive në arsim

Në prag të Vitit të Ri 2026, ju falënderoj përzemërsisht për besimin, përkushtimin dhe bashkëpunimin tuaj në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më njerëzore dhe më të bashkuar. Ky moment festiv na fton të reflektojmë për vitin që lëmë pas, por mbi të gjitha të shohim përpara me shpresë, solidaritet dhe besim, shkruan në urimin e tij, ministri për Politikë sociale, demografi dhe rini, Fatmir Limani.

“Viti 2025 ishte vit sfidash, por edhe rezultatesh konkrete. Së bashku punuam për forcimin e mbrojtjes sociale, zgjerimin e shërbimeve në komunitet dhe mbështetjen e qytetarëve më të cenueshëm, përfshirë personat me aftësi ndryshe.
Në qendër të politikave tona ishin fëmijët përmes investimeve në kopshte të reja, forcimit të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve dhe promovimit të familjeve përkujdesëse si formë më humane e kujdesit”, thekson ai.

Me përgjegjësi dhe respekt, avancuam edhe kujdesin për të moshuarit, duke krijuar shërbime të reja, qendra për plakje aktive dhe siguri më të madhe financiare për gjeneratat që ndërtuan vendin tonë. Po ashtu, shton ai, investuam te të rinjtë në zhvillimin, punësimin dhe përfshirjen e tyre aktive, sepse ata janë energjia dhe bartësit e së ardhmes.

“Familja mbetet shtylla e shoqërisë sonë, ndërsa demografia pasqyra e shpresës kolektive. Prandaj, viti 2026 do të jetë vit i angazhimit edhe më të fortë për t’i mbajtur të rinjtë në vend, për të mbështetur familjet dhe për të ndërtuar politika gjithëpërfshirëse në edukimin parashkollorë, punësim, strehim dhe mirëqenie sociale, politika që nuk lënë askënd pas dore dhe që rikthejnë besimin se e ardhmja mund dhe duhet të ndërtohet këtu. Në këtë natë shprese, le të urojmë më shumë lindje se ikje, më shumë buzëqeshje se pasiguri, më shumë besim se dyshim. Le të ndërtojmë bashkë një shoqëri që kujdeset për më të vegjlit, respekton të moshuarit, mbështet më të dobëtit dhe u jep krahë të rinjve. Ju uroj shëndet, lumturi dhe begati në çdo familje. Gëzuar Vitin e Ri 2026! Qoftë një vit i paqes, i ngrohtësisë familjare dhe i shpresës që kthehet në realitet”, thekson mes tjerash Limani.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit