Ligji për mbrojtjen nga pirja e duhanit është harmonizuar me rregullativën evropiane, thotë ministri Aliu

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se projektligji për mbrojtje nga pirja e duhanit është publikuar në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Rregulloreve (ENER), ku të gjithë qytetarët dhe organizatat e interesuara mund të marrin pjesë në debat publik para miratimit të tij.

“Me këtë ligj hapim një çështje thelbësore që prek drejtpërdrejt shëndetin dhe të ardhmen e fëmijëve dhe të rinjve tanë. Faktet janë të qarta dhe të pakontestueshme – duhani dhe nikotina mbeten shkaku kryesor i vdekjeve të parandalueshme; ekspozimi ndaj tymit dhe aerosoleve dëmton edhe ata që nuk kanë zgjedhur të pijnë duhan; ndërsa produktet e reja të nikotinës, aromat, marketingu agresiv dhe promovimi digjital janë të orientuara pikërisht drejt të rinjve. Prandaj, Ministria e Shëndetësisë përgatiti një Ligj të ri për mbrojtje nga pirja e duhanit, qëllimi i të cilit nuk është ndëshkimi, por parandalimi, shëndeti publik dhe mbrojtja e kategorive më të cenueshme të qytetarëve”, vlerëson ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Qëllimi i ndryshimeve të reja ligjore, theksohet, është vendosja e kontrollit mbi shfaqjen dhe përhapjen e produkteve të reja të duhanit dhe nikotinës, veçanërisht promovimin e tyre agresiv dhe qasjen e lehtë. Njëkohësisht, vendoset ndalim i plotë i reklamimit, promovimit dhe sponsorizimit; kufizohet shitja dhe ekspozimi i produkteve të duhanit dhe nikotinës si masa parandaluese për mbështetjen e lënies së varësisë; dhe, së fundi, forcohet ndalimi i pirjes së duhanit në hapësira publike dhe të punës.

“Me këtë ligj dërgojmë një mesazh të qartë se shëndeti është vlerë më e lartë se çdo interes komercial, se shëndeti i fëmijëve nuk mund të jetë objekt fitimi dhe se hapësira publike duhet të jetë hapësirë e sigurt. Njëkohësisht, zgjidhja ligjore është e harmonizuar me rregullativën evropiane dhe me detyrimet ndërkombëtare që shteti ka marrë përsipër, si dhe me parimet e Konventës Kornizë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit