Një qytet në Kaliforni ka hyrë në qendër të vëmendjes pasi ka propozuar një ligj të ri të ashtuquajtur “dark sky”, i cili do t’i detyrojë banorët të fikin dritat e jashtme pas mesnatës, me qëllim mbrojtjen e faunës së zonës. Këshilli Bashkiak i Palo Alto-s pritet të shqyrtojë më 10 nëntor këtë projektvendim të ri, i cili sipas Palo Alto Online synon të vendosë një orar të rreptë ndriçimi për gjithë qytetin.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme në propozim është ulja drastike e normës së “light trespass”, drita që depërton pa dëshirë në pronat fqinje, shkruan A2 CNN. Kjo normë do të ulet, duke detyruar banorët të përdorin ndriçim më të dobët ose të instalojnë mbrojtëse për llambat.
Sipas autoriteteve, qëllimi kryesor i ligjit është mbrojtja e ekosistemeve të ndjeshme, përfshirë zonat e mbrojtura natyrore. Ndriçimi artificial ndikon rëndë në ciklet natyrore të shumë specieve, orientimin e shpendëve migratorë dhe madje riprodhimin e insekteve si xixëllonjat. Edhe fauna ujore preket, pasi ndriçimi gjatë natës mund të shtypë prodhimin e hormoneve që rregullojnë gjumin dhe proceset biologjike.
Ndikime ka edhe te njerëzit. Studiuesit kanë lidhur ekspozimin e tepërt ndaj dritave gjatë natës me çrregullime gjumi dhe rrezik më të lartë për probleme serioze shëndetësore.
Por propozimi ka hasur rezistencë të fortë nga një pjesë e banorëve, të cilët argumentojnë se kufizimi i ndriçimit i bën lagjet më pak të sigurta. Në zonën e Edgewood Drive, afër San Francisquito Creek, banorët janë ankuar prej muajsh për rritjen e kampeve të të pastrehëve dhe frikën se dritat më të dobëta mund të shtojnë pasigurinë. Për këtë arsye, qyteti e ka përjashtuar këtë zonë nga rregullat e reja.
Megjithatë, zyrtarët pranojnë se zbatimi i ligjit do të jetë sfidues. Ata paralajmërojnë se standardet mund të jenë të vështira për t’u kontrolluar plotësisht, duke krijuar pritshmëri jo realiste për pajtueshmërinë.
Ligje të ngjashme tashmë zbatohen në Portola Valley, Woodside dhe Brisbane, ku ndriçimi i jashtëm duhet të fiket që në orën 22:00.
Sipas propozimit të ri, pajisjet ekzistuese që mund të zbuten duhet të rregullohen brenda dy vitesh, ndërsa ato që nuk mund të rregullohen duhet të zëvendësohen. Familjet do të kenë deri në 10 vjet për të përmbushur kërkesat, ndërsa bizneset vetëm pesë.





