Ligj i ri për bujqësinë organike: Albrim Hoxha sjell lajm të madh për fermerët

Zëvendësministri i Bujqësisë, Albrim Hoxha, ka ndarë një lajm shumë të rëndësishëm për fermerët në vend, duke bërë të ditur se ditë më parë është miratuar Ligji për prodhime bujqësore organike.
Përmes rrjeteve sociale, Hoxha e cilësoi këtë ligj si një nga hapat më të rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë, veçanërisht për prodhuesit e vegjël, të cilët do të përfitojnë drejtpërdrejt nga ndryshimet ligjore.
Sipas tij, ligji i ri lehtëson procesin e certifikimit, ul barrën e shpenzimeve dhe e bën prodhimin organik më konkurrues në treg.
“Ky ligj është mbështetje direkte për prodhuesit e vegjël, sepse ua lehtëson certifikimin, ua ul barrën e shpenzimeve dhe e bën prodhimin organik më të konkurrueshëm në treg”, ka shkruar Hoxha.
Ai theksoi se ndryshimet do të sjellin më pak kosto për certifikim, më shumë mundësi për shitje me çmime më të mira, si dhe harmonizim të rregullave me standardet e Bashkimit Evropian.
Në fund, Hoxha apeloi që procesi ligjor të përmbyllet sa më shpejt:
“Tani Kuvendi e ka në dorë që ligji të kalojë dhe fermeri të fitojë”, përfundoi ai.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit