Eksporti i produkteve maqedonase përmes rrjetit shitës të Lidl në vitin 2025 ka arritur një shifër rekord prej 15,5 milionë euro, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me 5 milionë euro në vitin 2024 dhe vetëm 570 mijë euro në vitin 2023. Këto rezultate dëshmojnë potencialin e madh eksportues të produkteve vendore dhe konkurrueshmërinë e tyre në tregjet evropiane.
Interesin më të madh në tregjet e huaja e pati rrushi i tryezës, me të ardhura prej 3,3 milionë euro, ku Polonia ishte tregu kryesor i plasmanit. Po ashtu, rezultate të shkëlqyera u shënuan edhe në eksportin e mishit të qengjit në Bullgari, i cili solli të ardhura prej 2,2 milionë euro.
Frutat dhe perimet e freskëta vazhdojnë të jenë një nga asetet më të forta eksportuese të Maqedonisë. Nga shuma totale prej 15,5 milionë euro, rreth 5 milionë euro u realizuan nga kjo kategori. Përmes rrjetit të Lidl janë eksportuar 15 lloje kulturash bujqësore nga mbi dhjetë furnizues vendorë, ndërsa produktet më të kërkuara ishin rrushi, lakra, specat, karotat dhe domatet. Këto produkte janë shpërndarë me sukses në Bullgari, Gjermani, Rumani, Poloni, Sllovaki, Serbi, Çeki dhe vende të tjera evropiane.
Në kuadër të eksportit të rregullt, me vlerë rreth 7 milionë euro, dominuan produktet e konservuara me shitje prej 5,8 milionë euro, të ndjekura nga produktet e ëmbëlsirave, qumështoreve, si dhe vera dhe pijet.
Lidl vazhdon të pozicionohet si një partner serioz i ekonomisë maqedonase, duke ofruar mbështetje konkrete për kompanitë vendore dhe duke krijuar ura të forta bashkëpunimi për rritjen e eksportit dhe pranisë së produkteve maqedonase në tregjet evropiane.




