Nga koalicioni VLEN kanë kundërshtuar reagimin e sotëm të BDI-së për librin e Gjeografisë, duke e cilësuar atë si “një lojë të vonuar dhe të paturpshme”. Nga VLEN thonë se BDI nuk ka asnjë moral që të flasë për gabime në tekstet shkollore, “kur për 15 vite me radhë ka mbajtur Ministrinë e Arsimit dhe ka lejuar që gjenerata të tëra të rriten me shtrembërime, me fyerje dhe me mohime të identitetit shqiptar”, ndërsa shtojnë se zëvendësministri nga radhët e VLEN tashmë ka kërkuar korrigjim.
“Duam të njoftojmë opinionin se zëvendësministri i arsimit Lulzim Aliu, ka kërkuar verifikim të menjëhershëm dhe korrigjim pa vonesë të gabimeve, duke treguar se përgjegjësia institucionale është standardi ynë, jo vasaliteti politik i BDI-së. VLEN kërkon korrigjimin e përmbajtjes sipas standardeve shkencore dhe përcaktimin e përgjegjësisë politike për ata që për vite kanë lejuar shtrembërime të tilla. Gjeneratat e reja meritojnë tekste të sakta dhe dinjitoze, jo narrativat e shtrembëruara që BDI ka toleruar ndër vite”, thonë mes tjerash nga VLEN.






