Letra e jashtëzakonshme e dashurisë së John Keats për Fanny Brawne

John Keats, një nga poetët më të mëdhenj të romantizmit anglez, nuk la pas vetëm poezi të pavdekshme, por edhe disa nga letrat më prekëse të dashurisë në historinë e letërsisë. Një prej tyre është letra që ai i shkroi Fanny Brawne në tetor të vitit 1819, e cila konsiderohet një nga shprehjet më të fuqishme të ndjenjës njerëzore.

Keats, i lindur më 31 tetor 1795, kishte shkruar më parë për vlerën e jetës së vetmuar, por një vit më vonë ai u dashurua thellësisht me Fanny Brawne. Edhe pse ajo nuk përputhej plotësisht me standardet tradicionale të bukurisë së kohës, Fanny kishte kulturë, inteligjencë, sy të thellë blu dhe një buzëqeshje të veçantë që e magjepsi poetin.

Në letrën e tij, Keats shpreh një dashuri të fuqishme dhe të pakontrollueshme, duke rrëfyer se nuk mund të mendonte për asgjë tjetër përveç saj. Ai pranon se dashuria e kishte bërë egoist, duke shkruar se nuk mund të ekzistonte pa praninë e saj dhe se jeta e tij dukej sikur ndalej sa herë që ishte larg saj. Në një nga shprehjet më të forta të letrës, ai e përshkruan dashurinë si fenë e tij, duke deklaruar se do të mund të sakrifikonte jetën për të.

Letra e plotë:

E dashura ime më e shtrenjtë,

Në këtë çast i kam vënë vetes të kopjoj disa vargje me kujdes. Nuk mund të vazhdoj me asnjë lloj qetësie. Duhet të të shkruaj një apo dy rreshta dhe të shoh nëse kjo do të më ndihmojë të të largoj nga mendja, qoftë edhe për një kohë shumë të shkurtër. Betohem në shpirt se nuk mund të mendoj për asgjë tjetër. Ka kaluar koha kur kisha fuqi të të këshilloja e të të paralajmëroja për mëngjesin e pashpresë të jetës sime. Dashuria ime më ka bërë egoist. Nuk mund të ekzistoj pa ty harroj gjithçka, përveç dëshirës për të të parë përsëri, jeta ime duket sikur ndalet aty nuk shoh më tej. Ti më ke përthithur. Në këtë çast kam një ndjesi sikur po tretëm do të isha jashtëzakonisht i mjerë pa shpresën se do të të shoh së shpejti. Do të kisha frikë të largohesha shumë prej teje. Fanny ime e ëmbël, a nuk do të ndryshojë kurrë zemra jote? Dashuria ime, a do të ndryshojë? Tani dashuria ime nuk ka kufij. Shënimi yt erdhi pikërisht tani nuk mund të jem më i lumtur larg teje është më i çmuar se një anije e mbushur me perla. Mos më kërcëno as me shaka. Jam habitur që njerëzit mund të vdisnin martirë për fenë më ka tmerruar kjo tani nuk më tmerron më. Mund të bëhesha martir për fenë time. Dashuria është feja ime, do të mund të vdisja për të, do të mund të vdisja për ty. Besimi im është dashuria dhe ti je parimi i saj i vetëm, ti më ke rrëmbyer me një fuqi që nuk mund t’i rezistoj; e megjithatë mund t’i rezistoja derisa të të shihja; madje edhe pasi të pashë, shpesh jam përpjekur “të arsyetoj kundër arsyeve të dashurisë sime.” Nuk mund ta bëj më, dhimbja do të ishte shumë e madhe. Dashuria ime është egoiste. Nuk mund të marr frymë pa ty.

Yti përgjithmonë,
John Keats

Lidhja mes Keats dhe Fanny vazhdoi deri në vdekjen tragjike të poetit nga tuberkulozi në moshën 25-vjeçare. Tre vitet e fejesës u konsideruan periudha më produktive në krijimtarinë e tij, ku u krijuan disa nga poezitë më të njohura, si Ode to a Nightingale, To Autumn dhe Ode on a Grecian Urn.

Letrat e përzgjedhura të Keats mbeten një dëshmi e rrallë e ndjenjës romantike dhe e thellësisë emocionale që karakterizonte shkrimtarët e asaj periudhe. Ato vazhdojnë të lexohen si një nga shembujt më të bukur të letërsisë epistolare dhe të dashurisë së shprehur përmes fjalës së shkruar.
Përgatiti: Pranvera Beqa /KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit