Letër e hapur e vajzës së Dr. Muhamed Asanit: “Drejtësia e kapur e një vendi të kalbur”

Strugë, 25 nëntor 2025 — Një letër e hapur drejtuar Prokurorisë, gjykatësit Jordan Jovanov dhe Gjykatës Themelore të Strugës ka ngritur shqetësime të reja për transparencën dhe integritetin e procesit gjyqësor të mjekut gjinekolog, Dr. Muhamed Asani, i cili u dënua pas një procesi pesëvjeçar që ka ndezur debat të gjerë në opinion.

Letra, e cila mban firmën e vajzës së mjekut, përmban një sërë akuzash të rënda dhe pyetjesh të hapura për mënyrën se si është zhvilluar procedura gjyqësore. Ajo e quan vendimin “absurd, të pakuptimtë dhe të paprecedent”, duke theksuar se provat e paraqitura në proces “flasin të kundërtën” e asaj që u vendos nga gjykata.

Kritika ndaj procesit gjyqësor
Në letrën e saj, vajza e mjekut ngre disa çështje kyçe të cilat, sipas saj, nuk kanë marrë përgjigje:
1. Injorimi i raporteve të komisioneve profesionale
Ajo thekson se dy komisione të formuara nga Oda e Mjekëve dhe Ministria e Shëndetësisë, të përbëra nga ekspertë të lartë, kishin konkluduar se nuk kishte gabim mjekësor gjatë operacionit dhe periudhës pas operimit. Raportet e tyre, të nënshkruara dhe të argumentuara, sipas saj u “injoruan plotësisht”.
2. Refuzimi i provave
Sipas letrës, gjykata “nuk pranoi asnjë provë të dokumentuar”, gjë që e vë në pikëpyetje drejtësinë e procesit.
3. Presion medial nga gjykatësi
Autorja pyet se si është e mundur që një gjykatës të dalë me deklarata në media përpara përfundimit të procesit, duke e konsideruar këtë si “presion publik dhe shkelje flagrante të etikës gjyqësore”.
4. Ndryshimi i aktakuzës pas pesë vitesh
Një tjetër pikë e rëndësishme është ndryshimi i aktakuzës në një moment kritik të procesit: nga “gabim mjekësor” në “trajtim jo cilësor pas operacionit”. Sipas saj, ky ndryshim u bë pikërisht kur superekspertiza ishte gati të deklaronte se nuk kishte gabime.
5. Dënimi për periudhën kur mjeku nuk ishte në punë
Letra pretendon se Dr. Asani u dënua për periudhën postoperatore, ndonëse sipas dokumenteve, ai nuk ka qenë në detyrë gjatë atyre ditëve. Këto dokumente, sipas saj, nuk u morën parasysh.
6. Mosmarrja në pyetje e ekipit të plotë mjekësor
Autorja vë në dukje se nga gjashtë mjekët që morën pjesë në operacionin 8-orësh, vetëm Dr. Asani u thirr në gjykatë, ndërsa pesë të tjerët — përfshirë kirurgët që morën vendime të rëndësishme praktike — u injoruan.

Operacioni 8-orësh dhe akuzat e pacientes
Letra thekson se operacioni në fjalë ka zgjatur tetë orë dhe, sipas ekipit mjekësor, i ka shpëtuar jetën pacientes. Vajza e mjekut kritikon ashpër faktin që kontributi profesional i ekipit nuk u mor parasysh, ndërsa “pacientja, e cila prej pesë vitesh është shfaqur në seanca e shëndetshme”, ka hedhur akuza që sipas saj nuk mbështeten me prova.

Dyshime për motive të tjera: “Po synohet goditja e gjinekologjisë së Strugës?”
Në letrën e hapur shprehen dyshime se rasti mund të jetë pjesë e një skeme më të gjerë që prek gjinekologjinë e Strugës. Sipas autores, Dr. Asani — i vetmi doktor shkencash në spital — ka mbajtur mbi supe një repart të tërë dhe është “shtylla e gjinekologjisë”.
Ajo pyet nëse dënimi është pjesë e një lëvizjeje politike ose institucionale që mund të çojë në dobësimin apo mbylljen e repartit.

Mesazhi ndaj medias dhe institucioneve
Letra përfundon me një thirrje të drejtpërdrejtë për media që “të mos manipulojnë opinionin” dhe të pasqyrojnë faktet në mënyrë korrekte.
Në fund, autorja shprehet:
“Kjo letër nuk është hakmarrje. Është apel për drejtësi të vërtetë — jo drejtësi të kapur, të urdhëruar apo të paracaktuar.”
Ajo thekson se drejtësia mund të vonojë, por “kurrë nuk harron”.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit