Lesvos, ishulli perfekt për një arratisje të vonë sezonale

Udhëtoni drejt Lesvos-it për një pyll të gurëzuar, kështjella gjigante, plazhe– dhe pothuajse asnjë turist në horizont

Rrugët e Lesvos-it shtrihen mes pyjeve me pisha të dendura, të cilat herë pas here hapen për të zbuluar ura të lashta prej guri, pallate të braktisura apo fshatra të vegjël të zbukuruar me mullinj guri. Në këtë udhëtim, destinacioni ishte një pyll ndryshe: “Pylli i Gurëzuar i Lesvos-it”, vetëm dy orë larg nga kryeqyteti Mitilene. Atje, pemët e mbuluara nga hiri vullkanik miliona vite më parë janë kthyer në gur, raportoi Telegraph.

 

“Ka edhe pyje të tjera të gurëzuara në botë, por Lesvos ka më të madhin, prandaj quhet ‘Pompeja e botës së bimëve’”, shpjegon gjeologia Parthenoppi, duke treguar trungjet e mëdha të sekvojave të gurëzuara, sipërfaqet e të cilave shndrisin si qelq ngjyrë salmoni.

 

Ky vend, kandidat për të hyrë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, është vetëm një nga surprizat e këtij ishulli verior të Egjeut, ku legjenda thotë se poetja Sappho u hodh drejt vdekjes në shekullin VI p.e.s. Dhe megjithatë, britanikët e kanë lënë pothuajse të paprekur: këtë vit vetëm 114 fluturime kanë shkuar nga Britania drejt Lesvos-it, krahasuar me 4,593 për Rodosin.

Vetë Mitilene, kryeqyteti, është një qytet i mbushur me kontraste. Në portin e saj të madh, përmendur që në shekullin IV p.e.s. nga Thukididi, anijet e peshkimit qëndrojnë krah për krah me anijet e marinës greke, ndërsa përballë shtrihet vetëm 10 km larg porti turk i Ayvalik. Në kodrat përreth ngrihet kështjella mesjetare e qytetit, një nga më të mëdhatë në Egje, e cila nga larg duket si një qytet i vogël i rrethuar me mure. Por ndoshta thesari më i fshehur është Muzeu i Teriade-s, i cili ruan vepra origjinale të Chagall-it, Picassos dhe Matisses. Megjithatë, vitin e kaluar ai priti vetëm 5 mijë vizitorë.

Lesvos është gjithashtu vendlindja e ouzos, pija kombëtare greke, e cila prodhohet prej më shumë se 120 vitesh në qytetin bregdetar të Plomarit. Atje, vizitorët mund të shohin kazanet e vjetra prej bakri ku pija distilohet dy herë dhe të mësojnë sekretet e artizanëve që prodhojnë tre ton në ditë për t’i eksportuar në 50 vende të botës.

 

Nga porti shumëngjyrësh i Plomarit, një udhëtim me varkë të çon në plazhe idilike si Melinda, me gurë të bardhë dhe ujëra ngjyrë pendësh palloi; Prota, një fshat i qetë peshkatarësh; apo Drota, ku rëra e artë përplaset nga shkëmbinj të lartë të mbuluar me gjelbërim. Pamja ngjason me Gjirin Ha Long në Vietnam – me përjashtim të një detaji: mungesës së plotë të turistëve.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit