“Shpresë e re për gratë me inkontinencë stresuese”
Në interes të shëndetit publik të gjithë popullsisë femërore, Klinika Universitare e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës po prezanton Tension-Free Vaginal Tape (TVT) dhe Transobturator Tape (TOT) – metoda të avancuara kirurgjikale minimale invazive për trajtimin e urinimit të pavullnetshëm. Me këtë, hapet një kapitull i ri në kujdesin për shëndetin e grave në Maqedoni.
Çfarë është inkontinenca urinare stresuese?
Urinimi i pavullnetshëm (inkontinenca urinare stresuese) është një problem gjithnjë e më i zakonshëm me të cilin përballet gruaja moderne.
Me iniciativën e Prof. Dr. Irena Aleksioska Papestiev, drejtoreshë e klinikës, është rifilluar ky trajtim që do t’i zgjidhë problemin çdo pacienteje që përballet me këtë vështirësi.
Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës – Shkup dhe Klinikës Universitare të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës – Lubjanë, Slloveni, mjekët tanë, Prof. Dr. Irena Aleksioska Papestiev dhe As. Dr. Borivoje Pavlovski, gjatë qëndrimit të tyre në Slloveni patën mundësinë të specializohen në qasjet më të avancuara për trajtimin e urinimit të pavullnetshëm.
Si vazhdim i këtij bashkëpunimi, në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Shkup u organizua një punëtori profesionale e udhëhequr nga një prej edukatorëve kryesorë evropianë për kirurgjinë minimale invazive, terapinë dhe trajtimin e urogjinekologjisë, Prof. Dr. Mija Blaganje nga Lubjana.
Gjatë këtij trajnimi, u demonstruan dy teknikat për trajtim minimal invaziv, dhe u realizuan me sukses disa procedura TVT dhe TOT.
Maksimumi i rezultateve me ndërhyrje minimale
Kjo metodë do të mundësojë rezultate maksimale me ndërhyrje minimale.
Procedura siguron një qëndrim të shkurtër të pacienteve në spital dhe një cilësi të përmirësuar të jetës.
Inkontinenca ndikon në planet tuaja, e ndryshon jetën tuaj duke kufizuar lëvizjen e lirë, udhëtimet dhe çdo ngjarje në jetën tuaj, duke krijuar pengesa që ndikojnë në jetën sociale të një gruaje.
Çdo grua e 5-të në botë në një moshë të caktuar vuan nga inkontinenca.
“Popullsia, si në vendin tonë ashtu edhe në Evropë, po plaket gjithnjë e më shumë, dhe si rezultat I kësaj numri i pacienteve është në rritje, duke ndikuar në cilësinë e jetës së çdo gruaje,” deklaroi As. Dr. Borivoje Pavlovski.
Rikthimi i metodës pas 20 vitesh – një hap i madh përpara
Rikthimi i kësaj metode pas 20 vitesh është rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të menaxhmentit të Klinikës, i cili punon aktivisht në zbatimin e arritjeve dhe teknologjive mjekësore.
Iniciativa të tilla jo vetëm që rrisin aksesin në trajtime për të gjitha pacientet, por ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së një numri të madh të grave në vendin tonë, theksoi drejtoresha Prof. Dr. Irena Aleksioska Papestiev.
“Kjo ndërhyrje në klinikën tonë është e disponueshme për të gjithë dhe është e mbuluar nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor si një përfitim për shëndetin e grave.”
9





