Kuzhina italiane, ajo e familjeve, e restoranteve dhe ajo e tregjeve, ka marrë opinionin e parë teknik pozitiv për t’u futur në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s.
Nuk është ende njohje përfundimtare, por është hapi kyç para vendimit që pritet në dhjetor, kur Komiteti Ndërqeveritar do të mblidhet në Nju Delhi.
Në vitet e fundit, UNESCO ka njohur tradita të tjera gastronomike si ushqimin francez, kuzhinën tradicionale meksikane (2010), kulturën e kimchi-t korean dhe kuzhinën japoneze washoku (2013), si dhe artin e bukës turke pa maja (2016).
Të gjitha këto kandidatura kanë një dimension të fortë ceremonial ose ritual.
Në rast se vendimi i UNESCO-s do të konfirmohet, Italia do të jetë e para që merr njohjen për të gjithë kuzhinën e saj, jo vetëm për një recetë ose ritual të veçantë.
Përveç aspektit simbolik, ky ka edhe një ndikim ekonomik të dukshëm.
Sektori i restoranteve italiane, me mbi 330 mijë biznese, përfaqëson një rrjet të gjerë prodhues dhe një ruajtës të kulturës lokale.
Një njohje e mundshme e UNESCO-s do të forconte këtë sektor, i cili kontribuon rreth 15% në PBB duke u mbështetur nga turizmi, industria agro-ushqimore dhe eksporti.
Historikisht, efekti i UNESCO-s është i prekshëm.
Në Francë, pas njohjes së ushqimit gastronomik në 2010, shpenzimet turistike për restorantet u rritën 12% brenda disa viteve.
Në Meksikë, kandidatura ka rigjallëruar komunitetet rurale të Michoacan-it, zemra e traditës kulinare të vendit./ atsh/ KultPlus.com





