Kryeparlamentari i sapozgjedhur, Niko Peleshi, ka thirrur kryetarët e grupeve parlamentare për të nisur bisedimet mbi ndarjen e komisioneve, Byronë Parlamentare dhe organet e tjera kryesore.
Nga ky proces do të kërkohen emrat për kryesitë dhe anëtarësitë e komisioneve parlamentare, Këshillin e Rregullores dhe Mandateve, si dhe përbërjen e Byrosë Parlamentare.
Ky zhvillim vjen pas seancës së betimit të deputetëve të rinj, e cila u mbajt të premten dhe ku u zgjodh kryetari i ri i Kuvendit.
Në legjislaturën e re, 138 deputetë bënë betimin, ndërsa dy mandate u lanë vakant nga Tom Doshi dhe Sabina Jorgo, që iu transferuan Osman Tatës dhe Bledar Mezinit.
Opozita e ka cilësuar procesin e ndarjes së komisioneve si vendimtar për balancat në Kuvend, duke paralajmëruar se do të mbajë një qëndrim të fortë për të mos lejuar kapjen e institucioneve nga mazhoranca.
Në vijim të javës, pritet që qeveria “Rama 4” të dalë për votëbesim në Kuvend, në një klimë politike të tensionuar.