Kushtetuesja rrëzon dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Parlamentit: Deputetët kanë 34 ditë kohë të zgjedhin Presidentin

Gjykata Kushtetuese e Kosovës u ka dhënë kohë shtesë prej 34 ditësh deputetëve për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

 

Sipas vendimit, parlamenti është konstituuar më 11 shkurt të vitit 2026, duke e pamundësuar kështu konsumimin e afatit 60 ditor të zhvillimit të procedurave për zgjedhjen e kryetarit të ri të shtetit.

“Rrjedhimisht dhe në kontekst të domosdoshmërisë së vazhdimit të funksionimit të institucioneve shtetërore, të Presidentit dhe Kuvendit, Gjykata vlerëson se Kuvendi i ka në dispozicion edhe tridhjetë e katër (34) ditë për të vazhduar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të ri”, thuhet në vendimin i cili hyn në fuqi nga 25 marsi.

Kushtetuesja konstaton se në rast se brenda kësaj periudhe dështon zgjedhja e presidentit të ri, vendi shkon me automatizëm në zgjedhje, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh. Kjo nënkupton se zgjedhjet e reja mund të mbahen më 27 prill.

“Gjykata konkludon se në rast se brenda kësaj periudhe prej tridhjetë e katër (34) ditëve, Kuvendi dështon të zgjedhë Presidentin e ri, Kuvendi shpërndahet ex constitutione dhe zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45) ditësh”, sqaron aktvendimi.

Institucioni më i lartë juridik i vendit konstaton se procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtëdhjetë (60) ditë duhet të fillojë përpara dhe të përfundojë jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.

Përmes këtij aktgjykimi të Kushtetueses konstatohet se dekreti i presidentes Vjosa Osmani nuk prodhon efekt juridik. Derisa përcaktohet se në rast se dështon zgjedhja e presidentit brenda afateve të përcaktuara “mbi Presidentin apo ushtruesin e detyrës së Presidentit bie vetëm detyrimi që të caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve për Kuvend”.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit