Kushtetuesja refuzon sërish Thaçin, tash për rastin e administrimit të drejtësisë

Ish-presidenti Hashim Thaçi që po gjykohet në Hagë, është refuzuar nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese (DhSGjK) në rastin e ankesës së tij ku pretendoheshin shkelje të të drejtave të tij themelore në lidhje me caktim e Gjykatëses së Procedurës Paraprake dhe Gjykatësit të Vetëm në çështjen gjyqësore kundër tij lidhur me administrimin e drejtësisë.

Vendimi u mor të enjten, më 5 shkurt.

“Dhoma konstatoi se disa prej ankesave ishin të parakohshme dhe të tjerat të pabaza dhe, për rrjedhojë, e shpalli të papranueshme kërkesën referuese mbi bazën e rregullës 14 të Rregullores së Punës së DhSGjK-së”, njoftoi DhSK-ja, raporton Klankosova.tv.

Thaçi ishte ankuar se kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e shkeli ligjin duke caktuar të njëjtin gjyqtar që ia aprovonte Prokurorisë përgjimet speciale, edhe si gjyqtar që konfirmoi aktakuzën për të njëjtat vepra, dhe i cili më pas merrte edhe vendime tjera për të njëjtin rast gjyqësor.

Për shkak se edhe përgjimet ishin lejuar nga një gjyqtar i caktuar jashtëligjshëm, Thaçi i kishte kërkuar Gjykatës Kushtetuese ta rrëzojë aprovimin e aktakuzës së dytë.

Ndërkohë, Hashim Thaçi ishte ankuar edhe për ligjshmërinë e përgjimeve në qendrën e paraburgimit, mirëpo në dhjetor 2024 Kushtetuesja e Speciales e ka hedhur poshtë atë. /Klankosova.tv

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit