Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë fituese në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, pretendojnë se ky subjekt mund t’i sigurojë votat për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Ndërkohë që dy parti opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë hedhur poshtë mundësinë e bashkëqeverisjes me Lëvizjen Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate nuk kanë vendosur vija të kuqe për koalicione.
Asnjëra nga partitë politike nuk ka mjaftueshëm vota për të formuar e vetme Qeverinë e re.
LVV-ja, por edhe tri subjektet tjera politike shqiptare që renditen pas saj, llogarisin në komunitetet joshumicë, të cilat kanë dhjetë ulëse të garantuara në Kuvend.
Lista Serbe, me nëntë deputetë, nuk është pjesë e përllogaritjeve të asnjërës prej partive politike shqiptare për një koalicion të mundshëm qeverisës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën ka thirrur seancën konstituive të përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës, e cila do të mbahet më 15 prill.
Thirrja e kësaj seance nga Osmani vjen rreth një javë pas certifikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të rregullta parlamentare në Kosovë, të mbajtura më 9 shkurt.
Më 30 mars, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, aktualisht kryeministër në detyrë, paralajmëroi mundësinë që Kuvendi dhe Qeveria të formohen brenda një dite.
“Pasi u publikuan rezultatet, mbahet një seancë ku japim betimin. Synojmë një seancë për të zgjedhur edhe kryetarin, kryesinë, edhe Qeverinë, siç kemi bërë edhe herën e kaluar në të njëjtën ditë”, tha Kurti.
“LVV-ja mund t’i ketë numrat për krijimin e Qeverisë”
Armend Muja, deputet i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, tha për Radion Evropa e Lirë se seanca konstituive e Kuvendit, në të cilën pritet të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, i hap rrugë propozimit nga Lëvizja Vetëvendosje për kryeministrin dhe përbërjen e re të Qeverisë.
Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje synon të krijojë Qeverinë e re sipas premtimeve elektorale, që nënkuptojnë një kurs të ri veprimi, ruajtjen e agjendës kundër korrupsionit, zhvillimin ekonomik, si dhe sigurinë dhe barazinë sociale.
“Në këtë konjukturë, unë besoj se Lëvizja Vetëvendosje mund t’i ketë numrat për të krijuar Qeverinë. Kaq mund të them në këtë fazë”, theksoi Muja.
Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 42.3 për qind të votave në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Por, ato nuk mjaftojnë për formimin e Qeverisë, që kërkon të paktën 61 vota.
Sa i përket koalicioneve, LVV-ja ka thënë se preferon ta formojë Qeverinë me partitë e komuniteteve joshumicë – të cilat kanë dhjetë ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës.
Deri më tani, LVV-ja ka përjashtuar mundësinë e koalicionit me tri subjektet tjera politike: PDK-në, që ka siguruar 24 ulëse në Kuvend; LDK-në, me 20 ulëse dhe koalicionin AAK-Nisma, që ka siguruar tetë ulëse.
Kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, më 28 mars deklaroi se, në rast se Lëvizja Vetëvendosje nuk arrin ta krijojë Qeverinë brenda afateve ligjore dhe kushtetuese, atëherë PDK-ja është e gatshme të marrë përgjegjësinë për krijimin e saj.
Megjithatë, ai përsëriti qëndrimin e tij të deklaruar edhe gjatë fushatës zgjedhore se nuk ka “vija të kuqe” ndaj asnjë partie dhe është i gatshëm të bisedojë me të gjithë.
LDK-ja dhe AAK-ja kanë hedhur poshtë mundësinë e krijimit të një koalicioni me LVV-në dhe kanë shprehur gatishmëri për të formuar një ekzekutiv së bashku.
Ndërkohë, qasjet e AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate pas zgjedhjeve kanë ndryshuar lidhur me koalicionet e mundshme për formimin e Qeverisë.