13.8 C
Skopje
Monday, November 17, 2025

Kush është Wesley Clark?

Wesley Clark është një gjeneral i pensionuar amerikan. Gjatë karrierës së tij, ndër të tjera, ai e udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999.

Clark shërbeu si komandant Suprem i Forcave Aleate në Evropë për NATO-n nga viti 1997 deri në vitin 2000.

Ai kaloi 34 vjet në Ushtrinë Amerikane, duke marrë shumë dekorata ushtarake, disa tituj nderi dhe Medaljen Presidenciale të Lirisë.

Fushata e sulmeve të NATO-s, që zgjati 11 javë, nisi për ta ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë, dhe u ndërpre në qershor të vitit 1999, një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.

Ajo çoi në përfundimin e vrasjeve dhe përfundimisht, vite më vonë, në pavarësimin e Kosovës.

Clark shihet si hero në Kosovë për rolin e tij në çlirimin e vendit dhe për këtë ai është nderuar në Prishtinë në vitin 2024 me një dekoratë. Në Kosovë madje ka edhe rrugë të emëruara në nderim të tij.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë disa vite më vonë, ai tha se NATO-ja bëri gjënë e duhur kur ndërhyri.

“… veprimi u ndërmor, sepse po shihnim fillimin e një përsëritjeje të pastrimit etnik në Ballkan. Kjo ishte arsyeja që shtyu NATO-n të vepronte. Nuk ishte thjesht një veprim humanitar, por një veprim për të parandaluar një katastrofë humanitare, që po zhvillohej para syve tanë”, tha ish-komandanti suprem i Forcave Aleate të NATO-s. /REL/

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit