Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim përfaqësues të organizatave joqeveritare, intelektualë dhe përfaqësues të tjerë nga Lugina e Preshevës dhe Sanxhaku.
Gjatë takimit, Kurti tha se shqiptarët në Luginën e Preshevës po përballen me shkelje të të drejtave të njeriut.
Ai theksoi se qasja e Republikës së Kosovës do të jetë mbështetja e qytetarëve të Luginës në forma të ndryshme, duke përmendur edhe mbështetjen për studentët, fëmijët dhe kategori të tjera.
Kurti tha gjithashtu se Kosova po angazhohet edhe në aspektin ndërkombëtar për të drejtat dhe interesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Në takim u diskutua për zhvillimet dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc dhe Sanxhak, si dhe për nevojën e vazhdimit të mbështetjes dhe bashkëpunimit institucional e shoqëror.






