Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka përsëritur qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje se presidenti i ardhshëm i Kosovës duhet të jetë një figurë konsensuale, e mbështetur nga një shumicë sa më e gjerë parlamentare dhe shoqërore.
Kurti tha se LVV-ja dëshiron të arrijë marrëveshje me partitë e tjera politike për zgjedhjen e presidentit, me synimin që të shmangen zgjedhjet e reja.
“Ju e keni parasysh që qëndrimi i LVV-së si fituese e zgjedhjeve është që presidenti/ja i ardhshëm të jetë konsensual me mbështetje sa më të gjerë në Kuvend dhe në popull. Të jetë personalitet që ka merita dhe kontribut, vlera kombëtare qytetare, por gjithashtu edhe i dëshmuar në profesion e shoqëri dhe përveç kësaj dëshirojmë të merremi vesh në mënyrë që të evitojmë zgjedhjet e reja”, tha ai.
Sipas tij, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe formimi i qeverisë nuk paraqesin sfidën kryesore, ndërsa çështja më e vështirë mbetet zgjedhja e presidentit.
“Zgjedhja e kryetarit, formmimi i qeverisë nuk janë sfida, sfidë është zgjedhje e presidentit. Jemi duke bërë hapa që të vijmë te emri i presidentit”.
Kurti tha se LVV-ja është e gatshme për diskutime të gjera me partitë politike për të gjetur një kandidat që do të ishte jashtë skenës së përditshme politike dhe që do të mund të shërbente si figurë unifikuese.






