Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar panairin ndërkombëtar të drurit dhe ndërtimit “Swissbau 2026”, i cili po mbahet në Bazel të Zvicrës, duke theksuar rritjen e prezencës së bizneseve kosovare në tregjet ndërkombëtare.
Në një njoftim nga Davosi dhe Shtëpia e Kosovës atje, Kurti bëri të ditur se delegacioni kosovar ka vazhduar vizitën drejt Bazelit për të marrë pjesë në këtë panair të rëndësishëm evropian.
Sipas tij, pas pandemisë, prezantimi i Kosovës në panaire ndërkombëtare është rifilluar pikërisht në Swissbau në maj të vitit 2022, atëherë me pjesëmarrjen e tetë bizneseve vendore, ndërsa këtë vit Kosova po përfaqësohet me 27 biznese.
Kosova është ndër 19 shtetet e botës që po marrin pjesë në panairin e sivjetmë dhe, sipas Kurtit, është i vetmi shtet nga rajoni që po prezantohet në këtë edicion, me një hapësirë ekspozuese prej rreth 700 metrash katrorë.
Pjesëmarrja e Kosovës është mbështetur nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Panairi “Swissbau” konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme të sektorit të drurit dhe ndërtimit në Evropë, i cili vizitohet nga mbi 52 mijë vizitorë profesionistë, ndërsa këtë vit po marrin pjesë gjithsej 592 biznese nga 19 shtete të ndryshme të botës.
Kryeministri Kurti theksoi se pjesëmarrja në panaire të tilla është e rëndësishme për rritjen e eksportit, promovimin e produkteve vendore dhe forcimin e imazhit ekonomik të Kosovës në arenën ndërkombëtare./KultPlus.com



